Një ekip i kandidatëve për Asamble nga radhët e Bashkimit Demokratik, i udhëhequr nga kryetari i kësaj partie, Prof. Dr. Ajvaz Berisha, dhe kandidati i Komoranit për Asamble, prof. Rexhep Zogaj, zhvilluan sot takime të përzemërta me qytetarë dhe biznese të Komoranit.
Gjatë këtyre takimeve, qytetarëve iu shpërndanë broshura programore, duke u sqaruar vizioni dhe programi qeverisës i Bashkimit Demokratik. Bisedat kaluan në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore, ku u theksua nevoja e domosdoshme për ndryshime në çdo sferë të jetës.
Banorët e Komoranit shprehën zhgënjimin e tyre për mungesën e ndikimit të pushtetit lokal në krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e biznesit dhe përmirësimin e jetës së përditshme. Një nga temat qendrore të diskutimit ishte premtimi i Bashkimit Demokratik që Komorani të bëhet komunë më vete – një ide e cila u prit me interes dhe u elaborua në detaje si zgjidhje konkrete në favor të banorëve.
Prof. Dr. Ajvaz Berisha theksoi se projektet dhe premtimet e Bashkimit Demokratik do të jenë udhërrëfyes për qeverisjen, ndërsa llogaridhënia ndaj qytetarëve do të mbetet parim i patjetërsueshëm.
Ndërkohë, gjatë rrugës për në Komoran, ekipi vërejti një problem shqetësues: në kodrinën nën Kishën e Llapushnikut po kryhej një ekocid, ku digjeshin mbeturina në mënyrë të pakontrolluar. Ky fakt, sipas tyre, dëshmon mungesën e përgjegjësisë së Komunës, Inspeksionit dhe Policisë, të cilët qëndrojnë indiferentë ndaj një problem kaq serioz.
Bashkimi Demokratik kërkon mbështetjen e qytetarëve të Komoranit, duke ftuar të votohet ✅145 për Kryetarin Prof. Dr. Ajvaz Berisha dhe Nr. 24 për Prof. Rexhep Zogajn – për një Komoran ndryshe dhe më të zhvilluar.