Policia e Kosovës ka dalë me informacione shtesë rreth ngjarjes tragjike që ndodhi dje në fshatin Balaj në Ferizaj, ku mbeti i vdekur një 40 vjeçar.
Ngjarja sipas policisë rreth orës 19:42, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në fshatin Balaj ka ndodhur një rast i vrasjes me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme të Stacionit Policor në Ferizaj, Njësiti i Reagimit të Shpejtë, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, si dhe krimteknikët. Po ashtu, në vendngjarje ka dalë edhe Prokurori i Shtetit, dhe nën autorizimin e tij kanë nisur hetimet.
Hetuesit dhe krimteknikët kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe të trupit të viktimës, ndërsa janë intervistuar edhe dëshmitarët. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër (4) gëzhoja, ndërsa në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit është gjetur një armë zjarri (pistoletë), me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar gjithashtu:
Një pushkë gjahu me 72 fishekë;
Një pushkë ajrore.
Sipas hetimeve fillestare, ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, që kulmoi në ditën kritike me një debat verbal, ku i dyshuari nxori armën dhe qëlloi katër herë në drejtim të viktimës, duke e lënë atë të vdekur.
Pas kryerjes së veprës penale, i dyshuari ka njoftuar Policinë për rastin dhe vendndodhjen e tij, ku më pas është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, për procedura të mëtejme hetimore.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës I.R. (M/K), i lindur më 1987, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa i dyshuari B.R. (M/K), i lindur më 1974, është ndaluar për 48 orë.
Rasti është iniciuar si “Vrasje” dhe hetimet janë në vazhdim.