Mursel Plakaj ka reaguar sërish pas dy javësh nga publikimi i një Letre të Hapur drejtuar Ministrit të Shëndetësisë dhe Kryeministrit të Kosovës, për të cilën nuk ka marrë ende asnjë përgjigje. Në qendër të shqetësimit është ndërprerja e punimeve në objektin e ri të QKMF-së “Hafir Shala” në Drenas, një projekt që, sipas Plakajt, është braktisur pas hedhjes së vetëm një pllake.
Plakaj paralajmëron se situata është bërë edhe më e rrezikshme. Sipas tij, rrethojat e vendosura përreth gropës së ndërtimit janë të paqëndrueshme dhe paraqesin kërcënim të hapur për qytetarët që kalojnë përmes oborrit të QKMF-së, përfshirë pacientë, të moshuar, fëmijë e staf mjekësor.
“Pse u ndalën punimet? Kush mban përgjegjësi për rrezikun aktual? Kur do të veprohet për sigurinë e qytetarëve?”, pyet publikisht Plakaj, duke kërkuar veprime të menjëhershme.
Ai apelon që urgjentisht të hiqet rrethimi i rrezikshëm dhe të sigurohet hapësira e QKMF-së, e cila sipas tij, duhet të jetë një vend i mbrojtjes së jetës dhe jo rrezik për të.