Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën e Gjakovës ka shpallur aktgjykim dënues kundër të pandehurit B.B., për veprën penale “Vrasje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas shqyrtimit gjyqësor, kryetari i trupit gjykues, Drilon Haraçia, të akuzuarin B.B., e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej 19 vjet e 6 muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 28 prill 2023.
I pandehuri akuzohet se me datë 28.04.2023, rreth orës 09:45 minuta në fshatin Kijevë të Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta axhën e tij S.B., ashtu që ditën kritike me të vërejtur viktimën se me punëtorin B. po e rrokullisë arkën e betonit të marr nga pjesa e lartë e oborrit në rrugicën e përbashkët të shtëpive, ka dal nga shtëpia dhe me ton të lartë i thotë “Ku po e qon gypin, nuk guxon ta marrësh”, viktima i thotë “e marr se është e imja, se po më vyen me e dërguar te bunari”.
Atëherë i pandehuri i mllefosur shkon në shtëpinë e tij merr pistoletën gjysmë automatike e tipit “Crvena Zastava”, të kalibrit 9×19 m dhe me të ofruar tek viktima në distancë prej 3-4 metra gjuan drejt në trup të ndjerit S., ku viktima mundohet të ik me tej por i pandehuri gjuan prapë në drejtim të tij gjatë lëvizjes në distancë 3-4 metra, ku janë sharë mes vete, me atë rast viktima nga plagët e marra thotë “o me vrajti, o me vrajti”, mbështetet për rrethojat e rrugicës pastaj të pandehurit i bllokohet pistoleta dhe viktima ik edhe për nja 3-4 metra më tej.
I pandehuri e ndjekë prapë dhe nga prapa duke gjuajtur sërish në fund e gjuan edhe tri herë në kokë dhe viktima rrëzohet tek oborri i shtëpisë së tij duke mos lëvizur më nga vendi, ku vdekja e të ndjerit është konstatuar nga raporti i autopsisë i datës 18.07.2023 nga ekspertit mjeko ligjor.
Policia kishte konfiskuar një pistoletë gjysmë automatike të tipit Crvena Zastava e kalibrit 9x19mm, një karikator i zbrazët me kapacitet për tetë fishekë të kalibrit 9x19mm i dizajnuar për pistoletë Crvena Zastava, gjashtë fishekë të kalibrit 9x19mm si dhe një pushkë e gjuetisë me dy tyta e tipit Huglu, kalibrit 12 bore, një fishekë i kalibrit 7.65x17mm, një rrethatore prej lëkure e dizajnuar për mbajtje të fishekëve 12 bore, si objekte të kryerjes së veprës penale.