Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar nga Turqia blerje të tjera në të ardhmen nga kompania turke “Baykar”, prej së cilës Kosova është furnizuar me dronët e famshëm “Bayraktar”.
Maqedonci ka bërë me dije se gjatë vizitës së tij në Turqi është takuar me Haluk Görgün, Udhëheqës i Sekretariatit të Industrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, me të cilin kanë shqyrtuar planet për të ardhmen dhe mundësitë e vazhdimit të prokurimit me kompani si Baykar, si dhe shumë të tjera.
“Vizita në Panairin e Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) ishte një mundësi e shkëlqyer për të parë nga afër risitë që këto kompani ofrojnë, të cilat janë thelbësore për përmirësimin e aftësive të ushtrisë sonë. Faleminderit për mbështetjen e deritanishme, dhe jam i entuziazmuar për projektet e përbashkëta që na presin në të ardhmen!”, ka shkruar Maqedonci.