Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në aksin rrugor të fshatit Domorovc-Hodonovc, në Ranillug, si pasojë e të cilit dy vajza kanë humbur jetën. Vdekja e tyre tashmë është konfirmuar, ndërsa një vajzë tjetër ka mbetur e lënduar dhe po trajtohet në spital, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se dy nga vajzat që ndodheshin në veturë në momentin e aksidentit janë motra nga familja Basha.
Sinjali ka raportuar se njëra prej tyre vdiq në këtë aksident dhe ajo është Arbnora Basha.
Ndërkaq, viktima tjetë e këtij rasti është Antiana Thaqi.
Ato nuk arritën të iu bëjnë ballë plagëve që morën dhe humbën jetën, ndërsa motra e Arbnorës ndodhet në spital.
Fillimisht u raportua se bëhej fjalë për një vetaksident, mirëpo Policia tashmë ka kryer hetimet më të detajuara dhe është ngritur dyshimi se bëhet fjalë për aksident ku u përfshi edhe një kamion.
“Si rezultat i veprimeve hetimore nga Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor, shikimit të vendit të ngjarjes, këqyrjes së kamerave dhe mbledhjes së provave të tjera, me vendim të Prokurorit të Shtetit është ngritur dyshimi se nuk kemi të bëjmë me vet aksident por me aksident trafiku ku dyshohet se drejtuesi i kamionit me targa vendore mashkull Kosovar i vitit të lindjes 1970 si pasojë e kthimit të pasigurt ka penguar lëvizjen e automjetit i cili ishte në tejkalim, ku drejtuesja e automjetit nga mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës humbë kontrollin mbi mjet në tentativë për shmangie të goditjes së kamionit dhe përfundon e rrokullisur jashtë rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndalur për 48 orë.
Ndërkaq, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në IML për Obduksion.
Rrethanat e këtij aksidenti po vazhdojnë hetohen dhe Sinjali do t’iu mbajë të informuar në lidhje me detajet e këtij rasti.