Policia e Kosovës është një nga institucionet më të besueshme në vend, sa i përket ofrimit të sigurisë për qytetarët. Pavarësisht punës së tyre, zyrtarët policorë shpeshherë e kryejnë detyrën e tyre në kushte të vështira. Shumë policë janë përballur me mungesë të pajisjeve të sigurisë, pa antiplumb, e së fundi edhe me një sfidë tjetër, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se përdorimi i sprejit me afat të skaduar është problemi tjetër me të cilin zyrtarët policorë po ballafaqohen në kryerjen e detyrës zyrtare.
Një sprej i tillë përveç që nuk ka garancë për cilësinë, mund të jetë i dëmshëm edhe tek ata mbi të cilët përdoret.
Gazeta Sinjali ka siguruar një sprej të tillë ku shihet se data e skadencës ka qenë më 12 dhjetor 2022, pra i ka skaduar afati që gjashtë muaj.

Edhe në kampin belvedere, ku kushtet higjienike janë të nivelit jashtëzakonisht të ulët, edhe pse sytë e të gjithë qytetarëve janë kah siguria në veri. Pavarësisht të gjitha sfidave, Ministria edhe sot e kësaj ditë nuk është marrë seriozisht për kushtet elementare në këtë kamp.
Gazeta Sinjali ka raportuar në vazhdimësi edhe se si policët operojnë me jelekë antiplumb me afat të skaduar, e me mungesa të kushteve elementare për punë.
Rasti i fundit ka qenë për uniformat e zyrtarëve policorë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, të cilët punojnë me uniforma të vjetruara që i kanë marrë para tri vitesh.
Edhe gjendja e çizmeve të tyre nuk është hiç më e mirë, pasi që hera e fundit që janë pajisur me çizme të reja është para 2 vite e gjysmë, pavarësisht se duhet të pajisen me një palë të tilla të reja çdo vit.
Për të kamufluar gjendjen e keqe në të cilën ndodhen, ata janë detyruar që uniformat e vjetruara t’i dërgojnë për riparim në punëtori që merren me pastrimin e ngjyrosjen e tekstilit.