Në Qendrën Korrektuese në Dubravë është mbajtur ceremonia e certifikimit të 41 të burgosurve, të cilët përfunduan me sukses trajnimet profesionale në kuadër të programeve për aftësim dhe riintegrim.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, si dhe Udhëheqësi i Qendrës për Aftësim Profesional në Pejë, Edison Berdynaj.
41 të burgosurit u aftësuan në pesë profile profesionale: metalpunues, zdrukthëtar, hidroinstalues, ndërtimtar dhe asistent administrativ.
Këto trajnime kanë për qëllim zhvillimin e shkathtësive profesionale të personave të privuar nga liria dhe krijimin e mundësive më të mira për integrimin e tyre në shoqëri pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.
Gjatë ceremonisë u vlerësua angazhimi i të burgosurve për përfitimin e njohurive dhe shkathtësive të reja profesionale, si dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në realizimin e programeve të aftësimit profesional.
Shërbimi Korrektues i Kosovës, në bashkëpunim me institucionet dhe partnerët relevantë, do të vazhdojë të mbështesë programet e aftësimit profesional, me synim përgatitjen e personave të privuar nga liria për një riintegrim sa më të suksesshëm në shoqëri.
#SHKK #AftësimProfesional #Riintegrim #Rehabilitim #QendraKorrektueseDubravë





