Ekipet e inspektimit të KRU “Prishtina” kanë zbuluar një kyçje ilegale të ujit të pijshëm në afërsi të qendrës së Drenasit, gjatë kontrolleve të rregullta në terren.
Sipas njoftimit, kyçja ilegale përdorej për ujitjen e drunjëve dekorativë në livadhe, duke keqpërdorur ujin e destinuar për qytetarët.
Menjëherë pas identifikimit të rastit, ekipet kompetente kanë ndërmarrë të gjitha masat operative dhe procedurat ligjore ndaj shkeljes së evidentuar.
Nga KRU “Prishtina” është theksuar se keqpërdorimi i ujit të pijshëm ndikon drejtpërdrejt në furnizimin e rregullt të qytetarëve dhe dëmton sistemin e ujësjellësit.
“Uji është për pije, jo për keqpërdorim”, thuhet në reagimin e kompanisë, e cila ka paralajmëruar vazhdimin e inspektimeve intensive në komunën e Drenasit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë çdo ditë, me qëllim të ndalimit të abuzimeve dhe mbrojtjes së burimeve ujore për qytetarët.






