Pas publikimit të lajmit për zbulimin e gjurmëve të periudhës Paleolitike në rajonin e Drenasit, portali DrenicaOnline ka kontaktuar arkeologun Sami Haziraj, i cili është pjesë e projektit kërkimor në bashkëpunim me Universitetin e Tübingenit dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës.
Haziraj ka bërë të ditur se shumë shpejt pritet publikimi i njoftimit zyrtar që do të sqarojë lokacionin e saktë të gjetjeve, të cilat përfaqësojnë një nga zbulimet më të rëndësishme të periudhës Paleolitike të identifikuara deri më sot në territorin e Kosovës.
Ky zbulim, sipas tij, ka rëndësi të jashtëzakonshme shkencore, pasi ofron të dhëna të reja mbi veprimtarinë e njeriut të hershëm në trojet e sotme të Drenasit dhe më gjerë, duke pasuruar historinë arkeologjike të Kosovës me fakte dhe dëshmi të reja të epokave të lashta.