Artisti nga Skenderaji, Haxhi Fejzullahi, i cili jeton qytetin austriak Voitsberg, ka hapur ekspozitën e tij personale me titullin “Në shtëpi – Dahome” në galerinë e komunës së Maria Lankowitz, shkruan rajoni.org.
Ekspozita përfshin 24 punime origjinale, të cilat pasqyrojnë thellësisht lidhjen e tij shpirtërore me vendin e origjinës dhe jetën në mërgim. Në to shfaqen motive të jetës në vendlindje, përditshmëria në diasporë dhe elementë kulturorë që ndërthurin të kaluarën me të tashmen, duke krijuar një harmoni artistike me ngjyra dhe ndjeshmëri të veçantë.
Në hapje të ekspozitës, fotografi austriak Franz Taucher mbajti një fjalim për rëndësinë e veprës së Fejzullahut, duke theksuar mesazhin e fuqishëm që përcjell krijimtaria e tij dhe duke shprehur mirënjohje për pjesëmarrjen e gjerë të publikut. Ai vlerësoi lart artin e Fejzullahut si një urë lidhëse kulturore mes Austrisë dhe shqiptarëve të diasporës.
Po ashtu, kryetari i komunës së Maria Lankowitz, Kurt Rimer, falënderoi përzemërsisht artistin për prezantimin e këtyre vlerave të çmuara artistike shqiptaro-austriake, duke e cilësuar ekspozitën si një ngjarje të rëndësishme kulturore për komunitetin lokal.
Ekspozita “Në shtëpi – Dahome” u mirëprit me vlerësime të larta nga publiku dhe artdashësit, duke dëshmuar edhe një herë potencialin dhe ndikimin e artit shqiptar në skenën ndërkombëtare.