spot_img

Vdesin dy persona pas lëndimeve në vendin e punës, arrestohen investitori dhe punëkryesi

spot_img
spot_img
spot_img

12:40 – Arrestohen dy persona pas vdekjes së dy punëtorëve në Gjakovë

Dy persona janë ndaluar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, pasi dy punëtorë dyshohet se tanë nga një objekt ndërtimi dhe humbën jetën.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi ka konfirmuar rastin.

 

 

“Sot në ora 08:00 në mëngjes kemi marrë informacionin se kanë humbur jetën dy punëtor të cilët kanë rënë nga një objekt ndërtimi. Janë njoftuar të gjithë akterët relevantë – Inspektorati i Punës, Mjekësia Ligjore. Emergjenca na ka njoftuar se dy personat janë dërguar në spital pa shenja jete” – deklaroi për KALLXO.com, Enis Gashi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Sipas tij, deri më tani janë ndaluar dy persona me vendim të prokurorit për 48 orë.

“Aktualisht kemi dy persona të dyshuar të cilët janë ndaluar me vendim të prokurorit për 48 orë. Në bazë të informacioneve deri më tani, kemi të bëjmë me investitorin dhe punëkryesin” – shtoi Gashi.

12:10 – Vdekja e punëtorëve në Gjakovë, flasin nga Emergjenca

 

 

Në lidhje me vdekjen e dy punëtorëve sot në Gjakovë pas lëndimeve të marra në vendin e punës, kanë dhënë detaje nga Emergjenca e Gjakovës.

Jeton Vorfi, specialist në Emergjencën e Gjakovës ka thënë për KALLXO.com se viktimat janë të moshës 48 dhe 50 vjeç.

“Rreth orës 8.00 në spitalin ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, me urgjencë ambulantore, sillen dy të lënduar të moshës  48 dhe 50 vjeçare  të cilët kanë ra nga lartësia nga një objekt ndërtimi. Lëndimet kanë qenë vdekjeprurëse, ndërsa në spital është konfirmuar vdekja e tyre” – tha ai.

09:42 – Vdesin dy persona në Gjakovë pas lëndimeve në vendin e punës

 

 

Dy persona kanë vdekur, pasi dyshohet se janë lënduar në vendin e tyre të punës.

Rasti ka ndodhur rreth orës 08:15, në rrugën “Bardhyl Qaushi”, në Gjakovë.

“Sot, rreth orës 08:15, jemi njoftuar se dy persona (meshkuj të moshës madhore) janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë; dyshohet si pasojë e lëndimeve të pësuara në vendin e punës, në rrugën “Bardhyl Qaushi ”, në Gjakovë. Më pas është konfirmuar edhe vdekja e tyre.” – ka njoftuar Policia e Kosovës për KALLXO.com.

Policia e Kosovës thekson se ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprime hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

Lajmi i fundit
LAJME TJERA