Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në mesditë në qytetin e Prizrenit, ku një 40-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga kulmi i një ndërtese gjatë punës.
Viktima është Nexhat Xhylani, 40-vjeçar nga Baica e Drenasit i cili po punonte në montimin e kulmit të një ndërtese në rrugën “Besim Shala” në Prizren, kur ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga lartësia.
Për këtë rast, mbikëqyrësi dhe investitori i punimeve janë intervistuar si të dyshuar dhe më pas janë ndaluar për 48 orë, tha Policia e Kosovës.
“Policia i është përgjigjur menjëherë rastit, duke ndërmarrë veprimet e para hetimore dhe duke marrë dëshmi nga personat e pranishëm në vendngjarje”, u tha në njoftim.
Prokurori i Shtetit ka udhëzuar që për këtë rast të iniciohet procedura penale për veprën: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Përveç rastit në Prizren, në ditët e fundit në Kosovë kanë vdekur pesë persona në vendet e punës, katër prej të cilëve nga aksidentet.