Një person ka vdekur dje si pasojë e një aksidenti para Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) në Prishtinë. Një veturë e ka goditur semaforin dhe i njëjti më pas ka goditur një qytetar, i cili nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Lidhur me këtë ngjarje, eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, ka analizuar faktorët që kanë mundur të dërgojnë në shkaktimin e aksidentit.
Sipas tij janë dy faktorë, i pari faktori njeri dhe i dyti faktori rrugë.
Këtë analizim Dedaj e ka bërë në emisionin “Rreth e Rrotull” në Televizionin Dukagjini, teksa ka shtuar se edhe qëndrueshmëria e semaforit duhet të jetë më e madhe.
“Në aspektin teknik, atë që duhet futur në pistën e hetimeve janë faktori njeri dhe rrugë. Janë dy elemente që nuk duhet të ndahen deri në pasqyrimin total të aksidentit. Për drejtuesin e automjetit dhe ka ardhur deri tek kontakti me semafor, dhe ky i fundit ka goditur këmbësorin. Këta semafor duhet saktë me e ditë se qëndrueshmëria e tyre në bazë të goditjes me shpejtësi maksimale, duke ditur se me 40 km nuk guxojnë të kenë deformime. Edhe vendosja e tyre dhe projektimi i tyre a është marrë parasysh edhe siguria e këmbësorëve. Ekspertët e komunikacionit e bëjnë auditimin e tyre dhe vendosja e gjatësia e tyre e sigurisë dhe në qoftë se përplaset semafori, a e takon apo s’e takon vendkalimin e këmbësorëve, do të jetë edhe faktori rrugë si shkak i shkaktimit të aksidentit”, ka shtuar Dedaj.
Jeton Rexhepi, shefi i Divizionit për Komunikacionin Rrugor në Policinë e Kosovës, ka thënë se dyshimet e para të shkaktimit të aksidentit me fatalitet janë pakujdesia e shoferes.
“Sa i përket rastit të djeshit, dyshimet e para janë pakujdesia e shoferit sa i përket lëvizjes në mjet, ku fillimisht shkakton aksident tek mbrojtësit e sigurisë apo antiparkingjeve që ndalojnë lëvizjen e mjeteve dhe pastaj e godet semaforin, dhe semafori e godet këmbësorin, i cili ishte duke pritur për të kaluar rrugën. Nuk kemi të bëjmë me një shpejtësi në rrugë të drejtë, por gjysmëkthim me një shpejtësi e cila mundëson gjysmëkthim në udhëkryq”, ka shtuar Rexhepi.
Sa u përket statistikave se sa aksidente trafiku kanë rezultuar me fatalitet, Rexhepi ka theksuar se nga “muaji janar e deri më tani janë 8 raste ku kanë humbur jetën pjesëmarrësit e trafikut rrugor, ku pesë prej tyre janë këmbësorë, tre prej tyre kanë humbur jetën në rrugën urbane apo të qytetit dhe dy të tjerë në rrugë nacionale Prishtinë-Pejë, saktësisht në Bresje dhe në rrugën Prishtinë-Mitrovicë”.
Ndërsa, krahasuar me periudhën e njëjtë gjatë vitit të kaluar, Rexhepi ka shtuar se 50% ka raste më pak me persona të vdekur, ku 16 persona kanë humbur jetën krahasuar me periudhën e njëjtë që janë vetëm 8 viktima.
“Ka shënuar ulje aksidentet me lëndime, ndërsa është rritur numri i aksidenteve me dëme të vogla materiale. Po ashtu, krahasuar edhe me numrin e automjeteve dhe shoferëve, gjatë vitit 2023 janë mbi 38.000 automjete janë më shumë se vitin 2022 dhe, po ashtu, edhe mbi 38 mijë shoferë të rinj në trafik”, ka shtuar Rexhepi.




