spot_img

SHBA-ja “obligohet” me ligj: S’ka kufij të rinj në Ballkan, Kosova e Serbia të merren vesh për njohje reciproke

spot_img
spot_img
spot_img

Nëse “Akti për Demokracinë dhe Progresin e Ballkanit Perëndimor” kalon në Kongresin dhe Senatin amerikan, në të gjitha komisionet përkatëse dhe në fund merr edhe miratimin e presidentit Donald Trump, Shtetet e Bashkuara do të miratojnë një ligj që i detyron që politika e tyre e jashtme të mos mbështesë shkëmbimin e territoreve, ndarjen, apo çdo formë tjetër të rishikimit të kufijve mbi baza etnike mes Kosovës dhe Serbisë, apo kudo tjetër në Ballkanin Perëndimor – përfshirë, për shembull, shkëputjen e Republikës Sërpska.

Kjo përcaktohet në Nenin 11 të këtij akti, të titulluar “Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Në këtë pjesë, e parafundit e projektligjit që kongresisti demokrat nga Masaçusetsi, William Keating, ia paraqiti javën e kaluar Kongresit, theksohet se rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është përcaktuar më 27 shkurt 2023, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, raporton media e pavarur serbe “Nova”, transmeton Klankosova.tv.

“Politika e re” e Uashingtonit

Kjo marrëveshje, e njohur publikisht si “Marrëveshja e Ohrit”, shkaktoi shumë polemika – jo për përmbajtjen e saj, por sepse presidenti i Serbisë, kryenegociatori në këtë rast, kishte deklaruar se “nuk ka nënshkruar asgjë”. Siç kishin theksuar ekspertët, marrëveshja është e vlefshme për BE-në dhe SHBA-në edhe pa nënshkrimin formal.

Në projektligj theksohet se Kosova dhe Serbia duhet të “bëjnë përparim të menjëhershëm në zbatimin” e marrëveshjes. Kur kjo të ndodhë, akti propozon zhvillimin e bisedimeve dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë, nisma konkrete për forcimin e tregtisë dhe investimeve “në të dyja vendet” dhe vazhdimin e mbështetjes amerikane për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse bazuar në njohjen reciproke.

Pjesa që ndalon “vizatimin e kufijve” në Ballkanin Perëndimor fillon me deklaratën:

“Politika e qeverisë së Shteteve të Bashkuara është të mos zbatojë asnjë politikë që mbështet shkëmbimin e territoreve, ndarjen apo çdo formë tjetër të rishikimit të kufijve mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor si mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis shteteve të rajonit”.

Në vijim thuhet se autoritetet amerikane, përkundrazi, do të mbështesin demokracitë në këto vende, si mënyrë për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike që dikur kanë karakterizuar rajonin.

“Çka thotë Seksioni 11, që flet specifikisht për “Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë”

(a) Ndjenja e Kongresit

Është ndjenja e Kongresit që:

(1) Marrëveshja mbi Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e cila u miratua nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, është një hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit midis dy vendeve;

(2) Serbia dhe Kosova duhet të kërkojnë të bëjnë përparim të menjëhershëm në Aneksin e Zbatimit të marrëveshjes së përmendur në paragrafin (1);

(3) Sapo të jetë bërë përparim i mjaftueshëm në Aneksin e Zbatimit, Shtetet e Bashkuara duhet të marrin në konsideratë avancimin e iniciativave për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe me të dy vendet, të cilat mund të përfshijnë:

(A) Vendosjen e dialogëve strategjikë dypalësh me Kosovën dhe Serbinë; dhe

(B) Avancimin e iniciativave konkrete për të thelluar tregtinë dhe investimet me të dy vendet; dhe

(4) Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë bazuar në njohjen reciproke.

(b) Deklaratë politike – Është politikë e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që:

(1) Nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, ndarjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor si një mjet për të arbitruar mosmarrëveshjet midis shteteve kombëtare në rajon; dhe

(2) Duhet të mbështesë demokracitë pluraliste në vendet e Ballkanit Perëndimor si një mjet për të parandaluar një kthim të konfliktit etnik që dikur karakterizonte rajonin”.

Hetimi për spiunët rusë dhe kinezë

Pjesa e fundit e projektligjit i kushtohet ekskluzivisht ndikimit të dëmshëm rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor, përfshirë operacionet dhe fushatat me këtë qëllim. Ajo nis me kërkesën që, brenda një periudhe jo më të gjatë se gjashtë muaj (180 ditë), Sekretari i Shtetit, Drejtori i Inteligjencës Kombëtare (DNI) dhe drejtues të tjerë të agjencive shtetërore t’i dorëzojnë Kongresit një raport mbi ndikimet e dëmshme të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Hetimi përfshin veprimet që synojnë minimin e institucioneve demokratike, nxitjen e paqëndrueshmërisë politike dhe cenimin e interesave të SHBA-së dhe NATO-s në rajon. Projektligji më pas përshkruan në detaje se si duhet të duket raporti dhe se ai duhet të përfshijë elementët e mëposhtëm: një vlerësim të qëllimeve të Rusisë dhe Kinës në aspektin e ndikimeve dashakeqe, aktivitetet e Departamentit të Shtetit për t’iu kundërvënë këtyre ndikimeve, si dhe një listë që identifikon çdo rrjet, entitet dhe individ që mbështet fushata keqdashëse, si financiarisht ashtu edhe operativisht, që kufizojnë lirinë e fjalës dhe krijojnë pengesa për aksesin në proceset demokratike, duke përfshirë votimin e lirë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në të njëjtën kohë, kërkohet gjithashtu një hetim se si këto entitete dhe individë i zbatojnë taktikat e tyre, çfarë kanë bërë deri më tani në këtë drejtim, ku i kanë zbatuar ato dhe cilat janë kapacitetet e shteteve individuale për t’iu kundërvënë këtyre fushatave. Raporte të tilla do të arkivohen si “konfidenciale”, transmeton Klankosova.tv.

Në fokus ekonomia dhe demokracia

Këto dy nene e mbyllin Aktin, i cili në pjesën më të madhe fokusohet në mënyrat për të forcuar bashkëpunimin ekonomik mes SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, përfshirë nxitjen e të rinjve, shkëmbimet kulturore dhe sigurinë kibernetike.

Në dokument konstatohet se korrupsioni, përfshirë korrupsionin e lartë politik, varfëria, emigrimi i të rinjve, fushatat e lajmeve të rreme dhe dobësia e infrastrukturës teknologjike janë sfida të rënda për rajonin. Gjithashtu përmendet varësia nga energjia ruse, si dhe parregullsitë zgjedhore të dhjetorit 2023 në Serbi, të cilat ishin evidentuar nga administrata e Bidenit.

Për këtë arsye, projektligji kërkon nga SHBA-ja që: të inkurajojë rritjen e tregtisë dhe investimeve SHBA – Ballkan Perëndimor; të zgjerojë ndihmën për integrimin rajonal dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik, me theks të veçantë në sipërmarrjen e grave dhe të rinjve; të punojë me aleatët dhe partnerët për përmirësimin e sundimit të ligjit, diversifikimin energjetik dhe reformat demokratike, dhe të ndihmojë në uljen e varfërisë në rajon.

Një pjesë e veçantë e aktit trajton politikën energjetike, diversifikimin e burimeve, uljen e varësisë nga energjia ruse dhe kalimin drejt energjisë së gjelbër. /Klankosova.tv

- Advertisement -
Lajmi i fundit
LAJME TJERA