Aktivisti i palodhur i Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja, është acaruar tej mase pas intervistës së mbrëmshme të ish-presidentit Hashim Thaçi nga qelia në Hagë.
Thaçi dje pati një intervistë me shkrim që u publikua në Rubikon të Adriatik Kelmendit, ku ish-presidenti flet për ndarjen nga babai, jetën në burg, si dhe për ngjarjet e mëdha politike në Kosovë.
Por, si duket intervista e ish-presidentit e ka pezmatuar tmerrësisht aktivistin dhe showman-in e studiove televizive të natës, Sadri Ramabaja.
Në një shkrim plot vrer, Ramabaja tha se po tentohet të ndërtohet një figurë mesianike për Thaçin, mirëpo sipas tij, tashmë veçse ka përfunduar epoka e ‘haxhiqamilëve’. Për më tepër, ai tha se këta individë u shërbejnë interesave të Serbisë.
“Rrjedhimisht individët e përzgjedhur i kanë shërbyer, secili në mënyrën e vet, interesave serbe, duke e dëmtuar rënd marshin e historisë dhe etapat politike që do t’i krijonin rrethanat për çlirimin e Kosovës dhe faktorizimin e Kombit”, shkroi Ramabaja.
Për më tepër, figurën e Thaçit ai e krahasoi me atë të Haxhi Qamilit, kryengritësit të Shqipërisë së Mesme që ishte kundër shtetit të pavarur shqiptar të shpallur në vitin 1912.
“Epoka e haxhiqamilve është stivuar tashmë në sirtarët e historisë”, tha në fund Ramabaja duke marrë shkas nga intervista e ish-presidentit të Kosovës, i cili bashkë me krerët e tjerë të UÇK-së po mbahet në Hagë që nga viti 2020.