Qeveria e Kosovës ka thënë se miniera e Trepçës është duke operuar me humbje. Ata kanë kërkuar nga kjo ndërmarrje publike që të ulin shpenzime dhe të rrisin prodhimet.
Nëpërmjet një njoftimi të lëshuar paraditen e së enjtes, thuhet se ulja e shpenzimeve dhe rritja e prodhimit është mënyra e vetme për “kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”, shkruan Gazeta Insajderi.
“Në veçanti, Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Qeveria po ashtu përmend se Trepça është duke operuar me humbje.
“Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin”.
Ekzekutivi s’ka përmendur datë se kur mund të ekzekutohen pagat e minatorëve të Trepçës.
“Ministria e Ekonomisë në mënyrë të vazhdueshme ka inkurajuar menaxhmentin e ndërmarrjes për të optimizuar shpenzimet. Së fundmi, me pranimin e kërkesës së ndërmarrjes për ndarjen e mjeteve financiare shtesë, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Bordi mbikëqyrës dhe menaxhmenti që të prezantojnë një plan veprimi”.