spot_img

Punëtorët e Telekomit në Skënderaj raportojnë presion dhe detyrime jashtë kontratave të punës

spot_img
spot_img
spot_img

Një grup punëtorësh të Telekomit të Kosovës, të angazhuar në objektin e Postës së Kosovës në Skënderaj, kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me kushtet e punës dhe detyrimet që, sipas tyre, nuk përfshihen në kontratat e tyre të punës.

Sipas burimeve brenda këtij institucioni, rreth 10 punonjës të Telekomit pretendojnë se prej vitesh detyrohen të kryejnë punë që janë kompetencë e Postës së Kosovës, ndonëse nuk ekziston asnjë marrëveshje zyrtare ndërmjet dy institucioneve për një angazhim të tillë.

Ata theksojnë se situata është organizuar dhe imponuar nga Koordinatori për Shitje dhe Kujdes ndaj Klientëve Individualë Prepaid në Rajonin e Mitrovicës, i cili, sipas tyre, ushtron presion të vazhdueshëm, duke krijuar një mjedis të rëndë dhe stresues pune. Gjithashtu pretendohet për marrëdhënie të ngushta personale me zyrtarë të caktuar të Postës së Kosovës në Skënderaj.

Punëtorët deklarojnë se, përveç shërbimeve të Telekomit, ata kryejnë edhe shërbime që bien ekskluzivisht në kompetencë të Postës së Kosovës, përfshirë pagesat e ujit dhe energjisë elektrike, pagesat e sigurimeve të automjeteve, pagesat doganore për vetura, si dhe shërbime të tjera postare.

Sipas tyre, kjo praktikë nuk aplikohet në filialet e tjera të Telekomit që bashkëpunojnë me Postën e Kosovës, duke e bërë situatën në Skënderaj të veçantë dhe, siç pretendojnë ata, diskriminuese dhe të padrejtë.

Po ashtu, punëtorët kanë shprehur pakënaqësi edhe lidhur me hapjen e një pike të re të Telekomit në Skënderaj. Ata thonë se asnjë nga punonjësit lokalë nuk është marrë në konsideratë për ta udhëhequr atë pikë, ndërsa, sipas pretendimeve të tyre, ekziston synimi që drejtimi t’i besohet një personi nga Mitrovica, pa u vlerësuar përvoja dhe kontributi i stafit ekzistues.

Këto pretendime, sipas burimeve, ngrenë shqetësime për transparencën, barazinë dhe mënyrën e menaxhimit në nivel lokal. Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga menaxhmenti i Telekomit të Kosovës apo nga Posta e Kosovës lidhur me këto pretendime./Jepi Zë/

Lajmi i fundit
LAJME TJERA