Policia e Kosovës ka zhvilluar një tjetër operacion në veri të vendit, ku ka sekuestruar armë dhe një sasi të konsiderueshme municioni në fshatin Lucka Reka, në komunën e Zubin Potokut.
Sipas njoftimit të policisë, aksioni u realizua pas informacioneve të siguruara nga qytetarët, të cilët njoftuan se në një shtëpi të pabanuar mund të ndodheshin armë dhe mjete të tjera ilegale.
Gjatë kontrollit të objektit, zyrtarët policorë gjetën dhe sekuestruan një armë të gjatë gjysmë automatike, 392 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 123 fishekë të kalibrit 7.9 mm, 15 fishekë të pushkës së gjuetisë, 11 fishekë të pushkës së gjatë, 18 fishekë të armës së shkurt, dy fishekë të armës së gjatë, tre fishekë manovrues, gjashtë gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, si dhe një bajonetë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës për veprën penale **”Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”**.
Deri më tani nuk është arrestuar asnjë person, ndërsa hetimet për identifikimin e të dyshuarve dhe zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe informacionet e ofruara, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë përmes numrit emergjent 192.\Arbresh.info





