Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka bërë homazhe në nderim të çiftit legjendar të lirisë, Fehmi e Xhevë Lladrovci.
“Dashuria për atdheun i paraprin dashurisë për njëri-tjetrin. Sot kujtojmë me respekt e mirënjohje çiftin ikonë të lirisë, që jetën dhe dashurinë e tyre e shndërruan në sakrificë sublime për Kosovën. Ata e donin njëri-tjetrin shumë, por lirinë e donin më shumë”, tha Hajdari.
Ai theksoi se falë sakrificës së tyre dhe të shumë dëshmorëve të tjerë, sot populli ynë jeton i lirë, ndërsa dashuria dhe jeta zhvillohen në një Kosovë shtet të pavarur.
“U kemi borxh edhe frymën që marrim, atyre që frymën e vet ia dhanë lirisë. Liria erdhi falë atyre që atdheun e deshën si askush tjetër. Ju kujtojmë sot, ju kujtojmë nesër, ju kujtojmë çdo ditë”, u shpreh Hajdari.