Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij alpinisten kosovare, Uta Ibrahimi.
Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media thekson se ajo është gruaja e parë shqiptare e cila arriti të ngjitet në majën më të lartë të botës – Everest.
“Njëherësh alpinistja e parë në Ballkan që ka ngjitur 13 nga 14 majat mbi 8000 metra – të njohura si çatitë e botës.
Aktualisht po bën përgatitjet e fundit për të ngjitur majën e Kanchenjungës – maja e tretë më e lartë në botë”- thuhet në njoftimin e ZKM-së, më 06.04.2025.
Tutje, bëhet e ditur se Kurti e përgëzoi për sukseset dhe përfaqësimin e denjë të vendit nëpër botë, si dhe i uroi fat dhe mbarësi në ngjitjen e saj të radhës.
“Në këtë takim të përzemërt, znj. Ibrahimi i dhuroi kryeministrit Kurti librin e saj për fëmijë, “Uta në Sharr”- bëhet e ditur në komunikatë.