Pas ambasadës britanike, e cila i konfirmoi Nacionales se “nuk ka asnjë rol në propozim a mbështetje” të ndonjë kandidati për president të vendit dhe se “as nuk e ka bërë një gjë të tillë”, qëndrim të ngjashëm ka dhënë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Në një përgjigje për Insajderin, Ambasada amerikane ka thënë se ShBA-ja nuk ka asnjë rol në propozimin e kandidatëve për president dhe se zgjidhja e kësaj çështjeje është përgjegjësi e Kuvendit dhe e udhëheqësve politikë të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë rol në propozimin e kandidatëve për procesin zgjedhor presidencial në Kosovë. Është përgjegjësi e Kuvendit dhe udhëheqësve politikë të zgjedhin presidentin“, u tha në përgjigjen e ambasadës amerikane.
Kandidatja e VV-së, Feride Rushiti, nga foltorja për media e Presidencës së Kosovës dhe në praninë e kryeministrit tash në detyrë, Albin Kurti, pretendoi se përkrahjen dhe mbështetjen për të marrë postin e parë të shtetit, e kishte marrë “nga partnerët ndërkombëtarë” duke iu referuar në veçanti “ambasadës angleze.”
Pyetur nga gazetarët se “kush janë këta partnerë ndërkombëtarë?” që e çuan para të kandidohet për presidente, ajo tha britanik “që më mbështesin qe disa vite.”
“Partnerët ndërkombëtar nëse mund t’i them janë ambasada angleze, me të cilët bashkëpunoj dhe më mbështesin qe sa vite. Këtë propozim ma kanë bë edhe më herët, para se me vendos, dhe kam thanë “jo.” Sepse kam mendu që ka me pas zgjidhje politike. Pastaj sot kam qenë edhe me ambasadoren amerikane në kontakt. Më kanë përuru për guximin që e kam marrë. Unë edhe jam “grua e guximshme” prej Departamentit të Shtetit amerikan,” tha ajo.




