Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se oficeri Albion Svrkaj ka përfunduar me sukses Kursin e Karrierës së Kapitenit të Manoveres (MCCC) në Qendrën e Ekselencës së Manovrave (MCoE), në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një njoftimi për media, FSK-ja ka bërë me dije se kapiteni në fjalë gjatë kursit ka treguar përkushtim dhe disiplinë.
Në njoftim është treguar qëllimi i këtij kursi prestigjioz.
“Kapiten Albion Svrkaj përfundon me sukses Kursin e Karrierës së Kapitenit të Manoveres (MCCC) në Qendrën e Ekselencës së Manovrave (MCoE), në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky kurs prestigjioz përgatit liderët për të marrë përgjegjësi si komandantë të kompanive dhe oficerë të stafit, duke u fokusuar në luftimin e kombinuar të armëve në nivel taktik. Kapiten Svrkaj ka treguar përkushtim, disiplinë, duke kaluar me sukses vlerësimet në procedurat e komandës, menaxhimin e trajnimit të njësisë, dhe procesin e vendimmarrjes ushtarake”, është thënë në njoftimin e FSK-së.