Policia e Kosovës ka dhën detaje në lidhje me aksidentin tragjik që ka ndodhur sot në rrugën Domoroc – Hodonoc të Ranillugut.
Si pasojë, dy të reja kanë mbetur të vdekur dhe një ka mbetur e lënduar.
Po ashtu, Policia ka arrestuar një të dyshuar, pasi me vendim të Prokurorit të Shtetit është ngritur dyshimi se ky rast s’ka të bëjë me vet aksident, por me aksident trafiku ku dyshohet se drejtuesi 55-vjeçar i kamionit me targa vendore, si pasojë e kthimit të pasigurt ka penguar lëvizjen e automjetit i cili ishte në tejkalim, ku drejtuesja e automjetit nga mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës humbë kontrollin mbi mjet në tentativë për shmangie të goditjes së kamionit dhe përfundon e rrokullisur jashtë rrugës.
Policia ka thënë gjithashtu se rrethanat e këtij aksidenti të trafikut janë duke vazhduar të hetohen nga hetues policor të aksidenteve në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
Njoftimi i plotë nga Policia për këtë aksident:
Me datën 14.03.2025 rreth orës 10:00 sipas informacioneve fillestare kemi pranuara informacion për një vet aksident trafiku në aksin rrugor Domoroc – Hodonoc të komunës së Ranillugut me pasoja fatale.
Si pasojë e lëndimeve drejtuesja e automjetit Golf VII me targa vendore e vitit të lindjes 2002, shtetase e Kosovës ka ndërruar jetë ndërsa dy pasagjer kanë pësuar lëndime trupore të cilat janë transferuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjilan. Në emergjencën edhe përkundër ndihmës së ofruar nga ana e personelit mjekësor po ashtu ka ndërruar jetë edhe njëra nga pasagjeret, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku kujdestar gjersa pasagjerja e tretë është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë për tretman të mëtejmë.
Si rezultat i veprimeve hetimore nga Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor, shikimit të vendit të ngjarjes, këqyrjes së kamerave dhe mbledhjes së provave të tjera, me vendim të Prokurorit të Shtetit është ngritur dyshimi se nuk kemi të bëjmë me vet aksident por me aksident trafiku ku dyshohet se drejtuesi i kamionit me targa vendore mashkull Kosovar i vitit të lindjes 1970 si pasojë e kthimit të pasigurt ka penguar lëvizjen e automjetit i cili ishte në tejkalim, ku drejtuesja e automjetit nga mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës humbë kontrollin mbi mjet në tentativë për shmangie të goditjes së kamionit dhe përfundon e rrokullisur jashtë rrugës.
I dyshuari me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndalur për 48 orë gjersa trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.
Rrethanat e këtij aksidenti të trafikut janë duke vazhduar të hetohen nga hetues policor të aksidenteve në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.