Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën dhe komunën e Drenasit, pasi dy të rinj humbën jetën tragjikisht sot në Shëngjin. Njëri prej viktimave ishte nga fshati Gllobar i Drenasit.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Binaku, të afërmit dhe miqtë e të ndjerit.
“Kjo humbje e rëndë dhe e parakohshme ka prekur jo vetëm familjen, por edhe gjithë komunën e Drenasit. Në këto momente dhimbjeje, ndajmë pikëllimin me familjen Binaku dhe lutemi që ata të gjejnë forcë për ta përballuar këtë tragjedi”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Në emër të Komunës së Drenasit dhe qytetarëve të saj, Lladrovci ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen për familjen e të ndjerit në këto çaste të vështira.
Humbja tragjike e dy të rinjve ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe qytetarët, ndërsa kujtimi për ta do të mbetet i paharruar.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të ndjerin. Ngushëllime familjes Binaku dhe të gjithë të prekurve nga kjo tragjedi.





