Paneli i Apelit në Hagë i ka rrëzuar absolutisht të gjitha ankesat që i ka bërë avokati i Salih Mustafës, Julius von Bone në shkallën e dytë. Gabimi i vetëm që ka gjetur Apeli, ishte lartësia e dënimit e cila sipas vendimit, nuk ishte në përputhje me dënimet që janë marrë në të kaluarën në Kosovë. Nacionale sjell detaje nga vendimi i plotë.
Fjalimin e saj e nisi “në emër të popullit të Kosovës”, dhe e përfundoi me “popullin e Kosovës”. Kryetarja e panelit të Apelit në Hagë, Michele Pichard, tha se në Hagë nuk u akuzua e as dënua UÇK-ja, por veprimet individuale të Salih Mustafës. Këto fjalë ajo i tha pak para se ta niste shpalljen e vendimit.https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=476&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fnacionalevideosofficial%2Fvideos%2F744586007515688%2F&show_text=false&width=476&t=0
Shkelja e vetme në vendimin e parë, sipas Apelit, ka qenë lartësia e dënimit ku vlerësohet se trupi gjykues ka tejkaluar kompetencat duke mos marrë parasysh dënimet që janë dhënë në Kosovë apo në Tribunalin e Hagës.
“Paneli i Apelit konstaton se në rastet e Tribunalit të Hagës dhe gjykatat e Kosovës për krime lufte të krahasuar me rastin e Mustafës, dënimet e dhëna ishin më të shkurtra, ndonëse plotësisht i vetëdijshëm për diskrecionin, paneli konstaton se mospërputhja midis dënimit të z.Mustafa dhe dënimeve që analizoi paneli, tregon se trupi gjykues i tejkaloi kufinjtë e diskrecionit në këtë rast. Paneli i Apelit gjykon se duke dhënë z.Mustafa dënim jashtë proporcionit të arsyeshëm kohor me një varg dënimesh të ngjashme trupi gjykues ka kryer gabim të dallueshëm. Paneli i Apelit rrjedhimisht e gjykon të përshtatshme që dënimet individuale t’i ulë në dënime si vijon: 8 vjet burg për pikën 1 për ndalim arbitrar. 20 vjet për burgim për pikën 3 për torturë dhe së treti 22 për pikën 4 të aktakuzës për vrasjen e paligjshme. Në përputhje me këtë Paneli duhet të përcaktojë në bazë të rregullës 163 duhet të pasqyrojë një dënim të njëhësuar. Në lidhje me këtë paneli gjykon se një dënim i njehsuar me 22 vjet burgim duke llogarit kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të Mustafës”, tha kryetarja e panelit të Apelit.
Kur nisi të lexonte gjetjet e panelit të Apelit, Pichard ia rrëzoi absolutisht të gjitha ankesat avokatit të Salih Mustafës, Julius Von Bone. Duke nisur nga epiteti i konfliktit jondërkombëtar, nga provat që janë përdorur në gjykim, nga deklaratat e dëshmitarëve, nga elementi i vrasjes së paligjshme, te ndalimi arbitrat e deri te alibia. Të gjitha ankesat e Mustafës janë rrëzuar.
Madje, avokati i Mustafës po del se e ka huqur edhe kuadrin ligjor, duke bërë ankesë për çështjet të cilat nuk janë nën juridiksionin e panelit të Apelit.
“Z.Mustafa kundërshtoi cilësimin e konfliktit si konflikt i armatosur jondërkombëtar. Sipas tij, ky cilësim e bënte të pavlefshme aktgjykimin, pasi vendimet ndaj tij bazoheshin në nenin 14. Paneli konstaton se trupi gjykues zbatoi kriteret e sakta për ekzistencën e konfliktit jondërkombëtar gjatë asaj kohe. Mustafa nuk ka arritur të vërtetojë se trupi gjykues gaboi se nga maji 1998 UÇK-ja kishte karakteristika të mjaftueshme të grupi të armatosur që ishte në gjendje të përfshihej në konflikt jondërkombëtar”, tha qysh në nisje kryetarja e trupit gjykues.
Gjetja e dytë ndërlidhej me provat, dhe me deklaratat e disa dëshmitarëve.
“Në disa pika, Mustafa pretendon disa gabime faktike lidhur me konstatimet e trupit gjykues se krimet ishin kryer në Zllash. Së pari, në lidhje me argumentin e z.Mustafa se trupi gjykues e etiketoi në mënyrë të parakohshme kompleksin në Zllash si ndalim, paneli konstaton se trupi gjykues ka diskrecion për të argumentuar aktgjykimet e tyre, dhe Mustafa nuk vërtetoi se trupi gjykues gaboi. Në lidhje me argumentin e z.Mustafa se trupi gjykues gaboi në konstatimin se kompleksi ishte i BIA-s, paneli konstaton se argumentet e Mustafës janë të pabaza duke qenë se në aktakuzë ndaj tij janë ngritur 4 akuza për krime lufte të kryera në Zllash, pa saktësuar se në cilën prej ndërtesave ndodhën krimet”, tha më tutje kryetarja e panelit të Apelit.
Sipas vendimit, mbrojtja e Mustafës në disa raste ka shtrembëruar edhe dëshmitë e dëshmitarëve në ankesën që e ka bërë në Apel.
“Paneli konstaton se z.Mustafa në disa raste shtrembëroi dëshmitë e dëshmitarë. Paneli konstaton se Mustafa nuk ka arritur të tregojë se asnjë gjykatës i arsyeshëm faktesh do të mund të pranonte identifikimin që ia bënë dëshmitarët vendit të ndalimit. Në lidhje me argumentin se ZPS-ja ishte sygjestive kur tregoi fotografi të kompleksit në Zllash, paneli i Apelit konstaton se ai nuk arriti të paraqiste kundërshtim gjatë gjykimit dhe rrjedhimisht paneli konstaton se Mustafa e ka humbur të drejtën për të ngritur këtë pretendim. Paneli i Apelit rrëzon kundërshtimet në lidhje me konstatimet e trupit gjykues për vendin e krimeve. Paneli vëren se shumica e parashtrimeve të Mustafës nuk përmbushën kriteret formale për Apel”, tha më tutje ajo.
U rrëzua edhe ankesa për alibinë.
“Z.Mustafa kundërshtoi mos-marrjen parasysh të albisë. Paneli i Apelit nuk konstaton asnjë gabim juridik në mbrojtjen përmes alibisë të konstatuar nga trupi gjykues. Me të drejtë shqyrtoi nëse provat e alibisë mund të vërtetonin praninë e Mustafës në vende të tjera e jo në Zllash. Sa u përket kundërshtimeve lidhur me konstatimet faktike të trupit gjykues, Apeli konstaton se trupi gjykues nuk gaboi në konstatimet faktike lidhur me alibinë e Mustafës. Bazuar në këtë, Apeli rrëzon kundërshtimet e Mustafës lidhur me alibinë”,tha gjyqtarja Pichard.
Lidhur me dënimin për vrasjen e paligjshme, Apeli vlerësoi se trupi gjykues ka vepruar drejtë, pasi sipas vendimit, Mustafa me veprim ose mos-veprim e ka lënë një të ndaluar në qendër kur ka pasur luftime, dhe ai më pas është gjetur i vrarë.
“Trupi gjykues konstatoi se keqtrajtimi i rëndë dhe refuzimi i ndihmës mjekësore u atribua vetëm Mustafës dhe BIA-s, dhe ato ishin shkaqe të mjaftueshme për vdekjen e viktimës. Për vrimat e plumbit trupi gjykues konstatoi se ekzistonte dyshimi nëse plumbat mund të jenë të trupave serbe apo Mustafës. Duke marrë parasysh këtë paqartësi, tupi gjykues me të drejtë zbatoi skenarin më të favorshëm për Mustafën që forcat serbe shtinë në vrasjen e paligjshme. Apeli rrëzon argumentin se vdekja për shkak të keqjtraimit mund të mos përbëjë vrasje të paligjshme. Vdekja mund të ndodh si rezultat i një veprimi ose mosveprimi. Keqtrajtimi dhe refuzimi i ndihmës mjekësore nuk dallojnë. Apeli rrëzon pretendimin se duhej bërë konstatim lidhur me kohën e vrasjes së paligjshme. Lidhur me shfarosjen dhe ekzaminimit post-mortum Apeli konstaton se Mustafa nuk e ngriti këtë pikë gjatë gjykimit dhe ka humbur të drejtën për ta kundërshtuar në Apel. Paneli i Apelit e rrëzon këtë argument”, tha Pichard.
Apeli ka rrëzuar edhe ankesën e Mustafës për ndalimin arbitrar dhe torturën.
“Mustafa kundërshtoi krimin e torturës dhe argumentoi që ishte gabuar shpallja fajtor për torturimin e gjashtë personave, pavarësisht se u konstatua që ai mori pjesë vetëm në torturimin e 2 personave. Paneli konstaton se z.Mustafa e keqinterpreton aktgjykimin dhe shpërfill faktin se dëshmitarët kanë treguar për keqtrajtimin nga të tjerët përfshirë praninë e tij. Ai shpërfill faktin që keqtrajtimi fizik ishte e vetmja formë torture. Ata ishin keqtrajtuar edhe psikologjikisht dhe ishin mbajtur në kushte çnjerëzore. Paneli rrëzon argumentet e z.Mustafa. Paneli i Apelit konstaton se përfundimi i trupit gjykues për keqtrajtim ishte vërtetuar, mbështetet nga dëshmitë e një numri dëshmitarësh. Paneli konstaton se z.Mustafa nuk ka arritur të provojë gabim sa i përket verdikit të fajësisë për krimin e torturës. Në përfundim rrëzon kundërshtimet e z.Mustafa ndaj konstatimeve të trupit gjykues”,tha gjyqtarja.
“Paneli i Apelit konstaton se z.Mustafa nuk ka arritur të vërtetojë lidhur me bazën juridike të krimit të luftës të ndalimit arbitrar dhe rrëzon kundërshtimet e tij ndaj trupit gjykues. Trupi gjykues nuk e konsideroi mungesën e rrethanave lehtësuese si faktor rëndues, dhe as nuk e përdori peshën e krimit si rrethanë rënduese. Paneli i Apelit nuk konstaton gabim në faktin se trupi gjykues refuzoi të jepte peshë rrethanave personale të tij. Apeli rrëzon argumentin se nuk do të kishte mundur t’i paraqiste rrethanat personale në gjykim, sepse atij iu dhanë mundësi ta bënte këtë”, përfundoi ajo.
Mustafës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.




