Ka ndërruar jetë sot komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari, nga Prekazi i Skenderajt.
Sahit Jashari ishte njëri ndër themeluesit dhe ushtarët e parë të UÇK-së, i cili që në ditët më të vështira u rreshtua në shërbim të lirisë së atdheut, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në rrugëtimin çlirimtar të Kosovës.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur drejtori komunal i Skenderajt, Arbër Geci, përmes një postimi publik.
“Sot Drenica, Kosova dhe historia e luftës sonë çlirimtare humbën një nga bijtë më të devotshëm të saj. Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit, njërit ndër themeluesit dhe ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Geci.
Ai e ka vlerësuar figurën e Sahit Jasharit si simbol të sakrificës, guximit dhe përkushtimit ndaj kombit, duke theksuar se ai jetoi për idealin e lirisë dhe la pas një trashëgimi krenarie që do të mbetet përherë në kujtesën e popullit shqiptar.
Vdekja e Sahit Jasharit paraqet një humbje të madhe për Drenicën dhe për gjithë Kosovën, ndërsa kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten të paharruara në historinë e luftës çlirimtare.
Lavdi jetës dhe veprës së Sahit Jasharit!
Ngushëllime familjes Jashari, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan veprën e tij.





