Mursel Plakaj, kandidati për Asamble Komunale në Drenas dhe bartësi i listës së AAK-së, ka bërë të ditur se prioriteti i tij kryesor është zhvillimi i turizmit dhe gjallërimi i ekonomisë vendore. Ai tha se vizioni i tij është ta shndërrojë Drenasin në një vend atraktiv për vizitorë, duke ngritur mirëqenien e qytetarëve.
Një nga projektet më të rëndësishme që ai ka prezantuar është ndërtimi i parkut më të madh turistik e rekreativ në Rrafshnaltën e bjeshkës së Nekocit – te Jezeri. Ky park pritet të ofrojë hapësira të gjelbra, shëtitore, liqen artificial, shtëpiza druri, zona për familje dhe fëmijë, si dhe aktivitete sportive e kulturore.
Plakaj theksoi se për ta bërë këtë projekt funksional do të ndërtohet edhe rruga deri te Jezeri, duke e kthyer këtë zonë në një qendër të rëndësishme të turizmit malor në Drenas.
Sa i përket financimit, ai sqaroi se projektet e tilla nuk mbështeten vetëm nga buxheti i komunës, por realizohen përmes kombinimit të burimeve nga qeveria qendrore, donatorët ndërkombëtarë, si dhe partneritetet publike–private.
“Roli ynë është të ofrojmë ide konkrete dhe të sigurojmë bashkëpunim me institucionet vendore e ndërkombëtare, në mënyrë që vizioni ynë të bëhet realitet. Dua mbështetjen dhe votën tuaj për ta bërë këtë vizion realitet”, u shpreh Plakaj.
Ai garon me numrin 174 në listën e AAK-së për Asamblenë Komunale të Drenasit.