spot_img

Mësimdhënësit morën pensione rreth 25 përqind më të ulëta, Qeveria: Gabim teknik

spot_img

Nuk ka asnjë vendim të Qeverisë së Kosovës për uljen e vlerës së pensionit për punëtorët e arsimit që kanë punuar gjatë viteve ‘90, por ka ndodhur një gabim teknik, ka konfirmuar Qeveria e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarët e Qeverisë kanë shpjeguar se gjatë shpërndarjes së mjeteve për këtë kategori pensionistësh, “janë paraqitur disa probleme teknike, të cilat me t’u evidentuar janë përmirësuar menjëherë”.

Gjatë ditës së martë, më 16 janar, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka marrë një numër ankesash nga degat e saj nëpër komunat e Kosovës, si dhe nga pensionistët, ish-mësimdhënës gjatë viteve ’90, se në muajin janar, pensionet e dedikuara për këtë kategori, kanë qenë më të ulëta rreth 25 për qind, në krahasim me muajt e kaluar.

Një ankesë të tillë e ka shprehur edhe Brahim Peli nga Novosella, komuna e Pejës, i cili gëzon të drejtën ligjore për pensionin e mësimdhënësit gjatë viteve ‘90.

Ai ka thënë se në muajt e kaluar ka marrë pensionin në vlerë prej 102 eurosh, ndërkaq në janarin e këtij viti vlera e pensionit ka qenë 77 euro.

“Në këtë muaj, e pashë se ishin 25 euro më pak. Shkova në entin social dhe më thanë se nuk kanë asnjë lloj konfirmimi (lidhur me uljen e vlerës së pensioneve) dhe se edhe disa të tjerë janë ankuar”, ka thënë Peli.

Sipas tij, edhe ish-kolegët kanë pasur problem të njëjtë dhe disa prej tyre i janë drejtuar sindikalistëve të arsimit në Pejë.

“Të gjithë ata të pensionuar që janë duke e gëzuar këtë shtesë (pensioni për mësimdhënësit e viteve ’90) kanë ardhur dhe janë ankuar tek unë. Por, ne nuk kemi forcë që mund ta ndryshojmë këtë gjë”, ka thënë Isuf Lajçi, përfaqësues i SBASHK-ut në Pejë.

Lexo edhe:  Shala: Është nder të jem sërish kandidat në partinë që përfaqëson vlerat kombëtare

Nga selia e SBASHK-ut në Prishtinë, kanë thënë se ankesa ka pasur në të gjitha komunat e pensionistëve se, ish-mësimdhënësve të viteve ’90, u janë ndarë pensione më të ulëta për 25 për qind.

Ligji për statusin e punëtorëve të arsimit në gjuhën shqipe, gjatë viteve 1990 deri 1999, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2019, përcakton njohjen e përvojës së punës dhe të drejtën për kompensim, të të gjithë punëtorëve të arsimit, të cilët kanë punuar përgjatë atyre viteve, sipas sistemit arsimor në gjuhën shqipe, që asokohe ishte paralel ndaj sistemit arsimor të regjimit serb.

- Advertisement -
Lajmi i fundit
LAJME TJERA
x