spot_img

Kurtit nuk i shkojnë në takim gati gjysma e kryetarëve të komunave që kishin paralajmëruar pjesëmarrjen

spot_img
spot_img
spot_img

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur sot takimin e gjashtë me kryetarët e komunave për të diskutuar rreth bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe atij lokal.

Por në këtë takim nuk morën pjesë të gjithë kryetarët e komunave, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se kanë pasur të konfirmuar 28 prej tyre, por vetëm 15 patën përfaqësues në takim, ndërsa të tjerët nuk morën pjesë fare.

Nga kryetarët e komunave që vijnë nga PDK-ja, mori pjesë vetëm ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili më pas tha se nuk pyet askënd për të marrë pjesë në takime të tilla që kanë të bëjnë me buxhetin e komunës.

Në takim prezent nuk ishte as  kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili njëherësh është edhe kryesues i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Në takim përpos buxhetit për komuna, kryeministri Kurti ngriti për trajtim edhe dy çështje tjera: regjistrimi i popullsisë, që pritet të nisë në fillim të muajit prill dhe çështja e qenve të braktisur dhe endacakë.

Kurti ndër të tjera ka thënë se nuk janë të vërteta akuzat se Qeveria e Kosovës nuk po mbështet komunat që nuk qeverisen nga partia në pushtet.

Në takimin e gjashtë me kryetarët e komunave ka thënë se Kurti ka shtuar se buxheti i vitit 2024 është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin paraprak 2023, kurse për tri vite mandat buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë.

Kryeministri shtoi se secila komunë këtë vit e ka të paktën për 40% më të lartë buxhetin sesa para tre viteve, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Gati gjysmën e buxhetit të disponueshëm Qeveria ua ndan komunave. Po bëhet viti i dytë radhazi që rritja e buxhetit është në përqindje dyshifrore krahasuar me vitin paraprak. Buxheti i vitit 2024 është për gati 90milionë euro më i lartë krahasuar me vitin paraprak, kurse nga fillimi i mandatit, për tri vite, buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë.

Granti i përgjithshëm për komuna për vitin 2024, e kap shumë prej 284.7 milionë euro, granti me vlerën më të madhe ndonjëherë. Komuna e Ferizajt dhe Gjakovës janë komunat me më së shumti projekte infrastrukturore të mbështetura nga Qeveria e Kosovës, teksa ajo e Rahovecit, Obiliqit dhe Skenderajt janë renditur në top tri komunat përfituese nga granti i performancës që ndahet nga MAPL.

Secila komunë, këtë vit e ka të paktën për 40% më të lartë buxhetin sesa para tre viteve.

Këto janë shifra dhe të dhëna që i dini të gjithë, jo vetëm se i kam përsëritur unë dhe ministrat e mi, e arsyeja pse po detyrohemi ti përsërisim është se në vazhdimësi po dëgjojmë akuza e kritika për mungesë të mbështetjes së komunave nga Qeveria, ose pabarazi të mbështetjes. Asnjëra, as tjetra nuk qëndrojnë. Meqë jemi këtu, në frymë të bashkëpunimit duhet që asnjëri nga ne të mos i kontribuojmë keqinformimit të qytetarëve por të luajmë një rol aktiv të mirinformimit të tyre kur vjen puna për mbështetjen nga komunat”, tha Kurti.

Ndërkaq, Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se kanë diskutuar për sfidat e komunave, procesin e projekteve dhe iniciativat e tyre në të ardhmen.

Krasniqi ka thënë se si asnjëherë më parë, buxheti për komunat është rritur dhe bashkëpunimi në mes dy niveleve është shtuar.  Krasniqi shtoi se më 15 shkurt është hapur thirrja që komunat të raportojnë në sistemin për performancën e vitit 2023.

Ministri shtoi se janë duke diskutuar që të ndryshohet ligji dhe të parashihen masa penalizuese për komunat që nuk kryejnë raportimin në këtë sistem.

Në takimin e rregullt dhe të 6 me radhë me Kryeministrin, Kryetarët e Komunave dhe ministrat e linjës diskutuam për sfidat e komunave, procesin e projekteve dhe iniciativat e tyre në të ardhmen.

“Si asnjëherë më parë, buxheti për Komunat është rritur dhe bashkëpunimi në mes dy niveleve është shtuar. Për vitin 2024, buxheti për komunat është 742 milion euro.
Me 15 shkurt është hapur thirrja që komunat të raportojnë në sistem për performancën e vitit 2023. I ftoj Komunat të raportojnë dhe duhet ta kemi parasysh në veçanti Komunat të cilat nuk raportojnë, se raportimi është obligim ligjor pavarësisht nëse ajo Komunë kualifikohet për garën e granitit të performancës”, ka thënë Krasniqi.

Lajmi i fundit
LAJME TJERA