Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti prej Britanisë së Madhe ka udhëtuar për në Romë të Italisë, ku do të marrë pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropian. Atje, ai ka realizuar edhe një intervistë të shkurtër për agjencinë italiane të lajmeve “AGI”.
Siç shkruan ky medium, Kurti ka folur për vështirësitë me Serbinë dhe problemet me të cilat po përballen tani.
“Ka ende probleme në kufirin me Serbinë. Fatkeqësisht, ata që kanë pasuruar vetën përmes luftës, janë shndërruar në kriminelë dhe vazhdojnë të pasurojnë vetën me bitcoin, drogë e armë. Ata e veshin biznesin e tyre me ide nacionaliste, por ende janë kriminelë.” – citohet se ka thënë ai.
Kurti mes tjerash, ka folur edhe për aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ku ka thënë se vendi nuk është ende zyrtarisht kandidat për anëtarësim.
“Nuk jemi ende zyrtarisht kandidat për anëtarësim, po po bëjmë më të mirën tonë që t’i afrohemi Bashkimit Evropian sa më shpejt që është e mundur.” – është shprehur ai.
Kryeministri mes tjerash ka folur edhe për Listën Serbe, për të cilën, ka thënë se kanë lidhje të fuqishme me Serbinë e Rusinë.
“Flasin për nacionalizëm e patriotizëm, por në realitet, kanë ide fashiste dhe lidhje me Vuçiqin e Putinin.” – ka thënë ai.
Duke folur për marrëdhëniet e Kosovës dhe Italisë, Kurti është shprehur:
“Më duhet të jem i sinqertë. Në të kaluarën e kam konsideruar Giorgia Melonin të lidhur me të kaluarën e saj të krahut të djathtë, me fashizëm. Prej kur është bërë kryeministre, i kam parë marrëdhëniet e saj të shkëlqyera me Biden dhe ShBA-në, si dhe përkrahjen e saj për Ukrainën”.