Komuna e Drenasit ka reaguar pas ankesave të shumta të qytetarëve lidhur me mosgrumbullimin e rregullt të mbeturinave në disa zona të komunës.
Sipas njoftimit, kjo gjendje ka ardhur si rezultat i neglizhencës dhe mosangazhimit të mjaftueshëm nga operatori përgjegjës për këtë shërbim, KRM “Pastrimi”.
Komuna thekson se, pavarësisht obligimeve kontraktuale, kompania nuk ka arritur të sigurojë kapacitetet e nevojshme teknike dhe logjistike për kryerjen e rregullt të shërbimit.
Në reagim bëhet e ditur se Komuna e Drenasit tashmë ka ndërmarrë dhe po ndërmerr disa veprime, përfshirë paralajmërimin ndaj operatorit për masa ndëshkuese, madje edhe padi gjyqësore, si dhe përgatitjen për angazhimin e mekanizmave inspektues dhe masa të tjera ligjore.
Komuna ka kërkuar që funksionimi normal i shërbimit të grumbullimit të mbeturinave të rikthehet urgjentisht në të gjitha zonat.
“Komuna nuk do të tolerojë moskryerjen e obligimeve nga asnjë operator”, thuhet në reagim.





