spot_img

Komuna e Drenasit anulon tenderin ku dyshohej për fryrje çmimesh 110% mbi tregun

spot_img
spot_img
spot_img

Komuna e Drenasit ka anuluar tenderin për furnizimin me pajisje stomatologjike për nevojat e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Gazeta Insajderi kishte raportuar për dyshimet në shkelje të ligjit, favorizim dhe abuzim me fondet publike në këtë kontratë.

Ndërsa në njoftimin e publikuar në platformën e-prokurim thuhet se anulimi është bërë për shkak të dispozitave ligjore.

Një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit“, thuhet aty.

 

Raportimi i Insajderit: Karrigia 2 mijë euro u kontraktua me çmim 8 mijë euro në Komunën e Drenasit

Gazeta Insajderi kishte raportuar më 14 shkurt se Komuna e Drenasit kishte shpërblyer me kontratë kompaninë “Letamed” për furnizimin me pajisje stomatologjike për QKMF-në.

Vlera e kontratës ishte afro 98 mijë euro.

Në këtë procedurë kishin marrë pjesë edhe tri kompani të tjera, të cilat kishin dorëzuar oferta dukshëm më të ulëta. Njëra prej tyre kishte ofertuar rreth 68 mijë euro.

Akuza për favorizim dhe hakmarrje, pse u anulua tenderi?

Një kompani kishte pretenduar se komisioni i QKMF-së kishte vepruar në kundërshtim me vendimet obligative të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Sipas tyre, edhe pse kompania fituese ishte shpallur e papërgjegjshme nga OSHP, Komuna e Drenasit kishte vazhduar ta favorizonte.

Në anën tjetër, për eliminimin e ofertës së tyre, kompania ankuese kishte pretenduar se kishte prapavijë hakmarrëse.

“Autoriteti kontraktues, i ndikuar nga njësia kërkuese (QKMF), ka ndërmarrë masa hakmarrëse ndaj nesh, si pasojë e faktit se kemi ushtruar të drejtën tonë ligjore për të paraqitur ankesë në OSHP”, thuhej në ankesë.

Fryrje e çmimeve deri në 110% mbi tregun

Një nga pretendimet kryesore kishte të bënte me mospërputhjen e madhe të çmimeve të kontraktuara me ato të tregut.

Një karrige stomatologjike ishte kontraktuar nga Komuna e Drenasit me çmim prej 7,800.00 €, ndërkohë që çmimi real në treg për pajisje ekuivalente sillet nga 2,200.00 € deri në 3,200.00 €.

“Në këtë tender, çmimi i ofertuar është mbi 110% më i lartë se çmimi i tregut, çka ngre dyshime serioze për mungesë të vlerësimit korrekt të çmimeve dhe cenim të parimit të ekonomicitetit”, thuhet në ankesë.

Për ta ilustruar këtë, operatori ankimues kishte sjellë shembullin e Komunës së Suharekës, e cila për pajisje të njëjta ka paguar vetëm 3,500.00 € për njësi.

Diferenca totale ndërmjet ofertës së kompanisë ankuese dhe asaj të rekomanduar është mbi 32,000.00 €.

Sipas vlerësimit të ofertës, një karrige stomatologjike është kontraktuar me çmim prej 7,800.00 €, ndërkohë që çmimi real në treg për pajisje të njëjta ose ekuivalente sillet nga 2,200.00 € deri në 3,200.00 €. Për më tepër, një Operator Ekonomik nga Suhareka ka fituar kontratë për pajisje të njëjta me çmim prej 3,500.00 € për njësi pra tenderin me nr. 624-24-4917-1-2-1 pra AK: KOMUNA SUHAREKË. Në këtë tender, çmimi i ofertuar është mbi 110% më i lartë se çmimi i tregut, çka ngre dyshime serioze për mungesë të vlerësimit korrekt të çmimeve dhe cenim të parimit të ekonomicitetit dhe konkurrencës së drejtë në procedurën e prokurimit“, thuhet aty.

Komuna e Drenasit kishte mohuar akuzat

Gazeta Insajderi, kur kishte publikuar shkrimin, kishte marrë edhe një përgjigje nga Komuna e Drenasit.

Përballë këtyre akuzave, Komuna e Drenasit mbrohej duke thënë se gjithçka është bërë me transparencë dhe sipas rregullave.

Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, nga komuna deklaruan se oferta ishte brenda vlerës së parashikuar.

Sa i përket eliminimit të kompanisë ankuese, komuna hedh dyshime mbi vërtetësinë e dokumenteve të tyre.

Ata thonë se i kanë kërkuar kompanisë kontaktet e prodhuesve jashtë vendit për të verifikuar autorizimet, por kompania nuk i ka sjellë.

Komuna pretendon se pas verifikimit direkt me prodhuesin, ka rezultuar se operatori i eliminuar kishte ndërhyrë në dokumente (autorizime).

Edhe kompania “Letamed”, e cila ishte shpallur fituese e tenderit, kishte deklaruar për Insajderin se akuzat për çmime të fryra nuk qëndrojnë.

“Çmimet tona bazohen në kërkesat e komunës dhe në cilësinë e lartë të produkteve. Nuk mund të importosh pajisje mjekësore në Kosovë pa i plotësuar kriteret e BE-së”, deklaruan nga “Letamed”.

Lidhur me faktin se më herët ishin shpallur të papërgjegjshëm për këtë tender, kompania kishte thënë se bëhej fjalë për një lëshim teknik.

Tenderi tashmë është anuluar./insajderi.org

Lajmi i fundit
LAJME TJERA