Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, njofton me keqardhje qytetarët dhe organizatat që veprojnë në fushat kulturore, rinore dhe sportive se është e detyruar të anulojë subvencionet për aktivitetet përkatëse për vitin aktual.
Ky vendim vjen si pasojë e zbatimit të kontratave kolektive të nënshkruara nga niveli qendror dhe vendimeve gjyqësore për realizimin e tyre, të cilat kanë rezultuar në tërheqjen e mjeteve buxhetore nga kategoria e subvencioneve për këtë drejtori.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport shpreh mirënjohjen e saj për përkushtimin, bashkëpunimin dhe aktivitetet e organizatave joqeveritare të Komunës së Drenasit, duke shpresuar për mundësi të reja mbështetjeje në të ardhmen.
Njëherazi, Komuna e Drenasit shpreh indinjatën e thellë që penalizime të tilla vijnë si pasojë e vendimeve të ndërmarra nga niveli qendror, duke penguar kështu zhvillimin e komunës, si në sferën e kulturës, rinisë dhe sportit, ashtu edhe në mosrealizimin e projekteve në të mirë të qytetarëve të komunës sonë.