Janë identifikuar kufomat e shtatë personave nga Klina, të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Viktimat u ekzekutuan gjatë Masakrës së Kralanit, një nga krimet më të rënda të kryera nga forcat serbe.
Mbetjet mortore u gjetën në fshatin Bishtazhin të Gjakovës.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.
“Pritet që institucionet përkatëse të organizojnë ceremoninë e rivarrimit për të rënët, ndërsa ky rast rikthen edhe një herë në vëmendje dhimbjen e mijëra familjeve që ende presin drejtësi dhe fatin e të afërmve të tyre të zhdukur”, deklaroi Gara për Klan Kosova.
Institucionet e Kosovës vazhdojnë të bëjnë thirrje për zbardhjen e plotë të krimeve të luftës dhe përgjegjësinë e Serbisë për zhdukjen me dhunë të mijëra shqiptarëve.