Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu në një reagim lidhur me mosekzekutimin tash e dy muaj të pagave për minatorët e Trepçës ka dhënë adresë të qartë, sipas tij, se kush i ka lënë ato pa paga: “Hajnat e Albin Kurtit”.
“Hajnat e Albin Kurtit po i lënë minatorët pa paga, për shkak të keqpërdorimeve dhe ke”qmenaxhimit të ndërmarrjes Trepça. Lexojeni Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Trepçën për vitin 2023, dhe e kuptoni pse minatorët sot janë pa paga? Mbi 28 të gjetura ka evdidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit! Trepça Sh.A. kampione në keqmenaxhim, për vitin 2023”, ka shkruar Haxhiu,.
Postimi i Haxhiut:
Në vijim do të prezantoj vetëm disa nga të gjeturat shqetësuese të raportit të fundit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Trepça Sh.A. për vitin 2023.
Opinion i kundërt për pasqyrat financiare vjetore.
Për shkak të mospërputhjeve të mëdha dhe mungesës së dokumentacionit të duhur, pasqyrat financiare nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të gjendjes financiare të ndërmarrjes.
Mospërfshirja e 131 parcelave dhe mungesa e dokumentacionit për pasuri në vlerë 166,014,605€ – Kjo tregon për një menaxhim të dobët të aseteve të ndërmarrjes.
Diferencat e mëdha në vlerat e pasurive afatgjata – Pasqyrat financiare tregojnë një vlerë prej 318,799,434€, ndërsa regjistrat kontabël tregojnë 282,932,996€, duke krijuar një diferencë prej 35,866,438€.
Probleme me llogaritë e arkëtueshme dhe obligimet e papaguara – Ndërmarrja ka nënvlerësuar obligimet e papaguara në vlerë 14,589,598€ dhe nuk ka arritur të harmonizojë llogaritë e pagueshme me klientët.
Mospërputhje në trajtimin e zhvlerësimit të pasurive – Janë aplikuar norma të ndryshme të zhvlerësimit për pasuri të kategorisë së njëjtë.
Mospërputhje në llogaritë kontabël – Llogaritë kontabël nuk barazohen në debi dhe kredi në vlerë 9,012,255€.
Ndërmarrja tek të hyrat kishte prezantuar të hyrat nga shitja e koncentratit të plumbit dhe zinkut, kurse në kontabilitet nuk i kishte regjistruar komplet vlerën sipas dokumentit unik doganor duke i nënvlerësuar të hyrat për vlerën për 452,890€.
Gjithashtu, raporti tregon se Trepça Sh.A. ka kryer transaksione dhe procese që nuk janë në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm, përfshirë pagesat e paautorizuara të pensioneve dhe mospagesat e tatimeve dhe kontributeve për punonjësit.
Këto gjetje tregojnë për probleme të thella dhe të shumta të menaxhimit dhe raportimit financiar në Trepça Sh.A., duke ngritur shqetësime serioze për qëndrueshmërinë financiare dhe pajtueshmërinë ligjore të ndërmarrjes.
Kur pasuria e Trepçes keqmenaxhohet dhe zhvatet, padyshim punëtorët mbesin pa paga.