Në spitalet publike të Kosovës është krijuar një situatë e rënduar, pasi mungon një nga produktet bazike dhe jetike për trajtimin e pacientëve në gjendje të rëndë shëndetësore – albumina.
Sipas informatave të siguruara, në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) nga gazetarja Saranda Ramaj aktualisht nuk ka albuminë në dispozicion, ndërsa mungesa e këtij produkti është bërë shqetësim serioz për familjarët e pacientëve, të cilët po raportojnë se nuk mund ta gjejnë albuminën as në barnatoret private.
Në këtë situatë të vështirë, shtrohen një sërë pyetjesh drejtuar institucioneve përkatëse: Çfarë masash kanë ndërmarrë SHSKUK dhe Ministria e Shëndetësisë për të përballuar këtë mungesë? Ku duhet ta gjejnë albuminën pacientët që ndodhen në gjendje kritike? Si do të sigurohet ky produkt për ata që kanë nevojë urgjente?
Po ashtu, nuk është e qartë se sa herë ka komunikuar SHSKUK me publikun për këtë mungesë gjatë ditëve të fundit. Kërkohet transparencë dhe përgjegjësi për këtë situatë, veçanërisht duke marrë parasysh faktin se fondet për blerjen e produkteve jetike janë të ndara në buxhet.
Mbetet të shihet nëse institucionet shëndetësore kanë ndonjë plan emergjent për ta zgjidhur këtë krizë dhe për të garantuar trajtimin e duhur për pacientët në nevojë.