spot_img

Flet avokati i Thaçit, pasi Kurti aludoi se ish-presidenti jep instruksione politike nga Haga

spot_img
spot_img

Avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, kroati, Luka Misetic, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se nuk ka ndonjë gjë për të thënë sa i përket pretendimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se Thaçi vazhdon të japë instruksione politike për zhvillimet në Kosovë.

Sipas Kurtit, zyrtarët e PDK-së kur shkojnë në Hagë për të vizituar Thaçin e Veselin, atje marrin edhe udhëzimet për atë se si duhet të veprojnë.

Megjithatë avokati Misetic ka thënë se s’ka koment lidhur me këto deklarime të Kurtit.

“Faleminderit për emailin tuaj. Unë nuk kam koment”, ka thënë avokati Luka Misetic për Gazetën Express.

Gazeta Express dje ka kërkuar dhe një qëndrim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë lidhur me ketë pretendim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, por zëdhënësi Christopher Bennett, ka thënë gjithashtu se s’kanë ndonjë gjë për të thënë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar s’ka koment”, ka thënë Bennet për Express.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, deklarimet ndaj Thaçit dhe Veselit, i ka bërë të mërkurën në një intervistë për Tëvë1, duke folur për PDK-në.

Sipas Kurtit, partia që drejton Memli Krasniqi, ka katër apo pesë kryetarë, dhe se vazhdojnë të konsultohen ende me liderët e tyre në Hagë.

“PDK nuk është e reformuar. Në Partinë Demokratike të Kosovës ekzistojnë 4 ose 5 kryetarë. Po flasim për PDK-në, se u mora pak me LDK-në, tash po kaloj pak te PDK-ja, për qejfin e juve. Ta vazhdoj mendimin. Filli i mendimit kur pritet nuk është më njësoj. Pra, ku mbeta, PDK që i ka 4-5 kryetarë, s’e di a i ka 4 a 5, por jam i sigurtë që s’i ka 3, as 2, as 1. PDK, e di prej përvojes, nuk është parti është shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara. Aty nuk merresh vësh pse ke folë me një person, prandaj Enver Hoxhaj folë krejt diçka tjetër, çka tha Ramiz Lladrovci për Sami Lushtakun, prindin e një deputeti, pra a e kuptoni, edhe janë dy ish-kryetarët në Hagë, të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh edhe për instruksione politike”

Lidhur me këto akuza të Kurtit për Partinë Demokratike të Kosovës kanë reaguar zyrtarë të shumtë të kësaj partie, përfshirë kryetarin Memli Krasniqi. Kanë reaguar edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët kanë dënuar një deklaratë të tillë.

“Ne, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, dënojmë me ashpërsi deklaratën e fundit të ish Kryeministrit Albin Kurti, i cili pretendon se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, po japin “instruksione politike nga burgu në Hagë”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

- Advertisement -
Lajmi i fundit
LAJME TJERA