Një përleshje e ashpër fizike ka ndodhur pasditen e së martës në rrugën “Azem Bejta” në Skenderaj, ku si pasojë e dhunës së ushtruar janë lënduar tre anëtarë të familjes Lushtaku, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 05.08.2025 rreth orës 18:00, kur palët janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm që dyshohet se ka pasur motive nga e kaluara, pasi paraprakisht kishin pasur raporte miqësore.
Të dyshuar për këtë rast janë dy vëllezër, J. H, rreth 32-vjeçar dhe D.H,rreth 31-vjeçar, të cilët janë arrestuar nga Policia nën dyshimin për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Viktima të kësaj ngjarjeje janë Xh. L., rreth 54-vjeçar, A. L., rreth 28-vjeçar dhe G.L., rreth 57-vjeçar, të cilët kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, ndërsa njëri prej tyre është transferuar në QKUK – Prishtinë. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitet policore dhe ato të hetimeve, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, përfshirë sigurimin e provave dhe intervistimin e palëve.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.
Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar me çdo zhvillim të ri nga rasti.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!