paskan vra babushin!” – këto janë fjalët që Besarta Jashari thotë se i dëgjoi më 7 mars 1998, kur, ende fëmijë, po qëndronte e strehuar në shtëpinë e familjes së saj në Prekaz.
Besarta Jashari është njëra nga të mbijetuarat e sulmit të forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz. Dëshmia e saj është përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ku ajo ka rrëfyer me detaje tri ditët e tmerrit që përjetoi së bashku me familjarët e saj më 5, 6 dhe 7 mars 1998, shkruan Gazeta Online Reporteri.net..
Ajo kishte lindur dhe ishte rritur në lagjen Jasharaj, ku jetonte me familjen e gjerë. Në atë shtëpi, sipas dëshmisë së saj, jetonin rreth 30 anëtarë të familjes.
Por sulmet ndaj tyre nuk kishin nisur më 5 mars.
Besarta kujton edhe sulmin e 22 janarit 1998. Ishte fëmijë dhe ishte zgjuar nga një shpërthim i fuqishëm. Kur kishte tentuar të dilte jashtë, një kushërirë e kishte ndaluar.
“Mos dil jashtë, sepse na kanë rrethuar forcat serbe dhe munden me të vra”, kishte dëgjuar ajo.
Në atë sulm, motra e saj Selvetja ishte plagosur në shpinë, ndërsa Iliriana ishte plagosur në dorë.
Pas 22 janarit, frika ishte bërë pjesë e jetës së familjes. Fëmijët kishin ndërprerë shkollën, ndërsa familjarët nuk flinin më në katet e sipërme të shtëpisë. Për siguri, ishin strehuar në bodrum dhe në dritare kishin vendosur thasë me rërë.
Por më 5 mars 1998, sulmi që do ta ndryshonte përgjithmonë jetën e Besartës dhe të gjithë familjes Jashari kishte nisur.
“Ushtria serbe po e rrethon lagjen…”
Ishte rreth orës 06:00 të mëngjesit. Besarta kishte dalë në oborr pasi nëna i kishte kërkuar të merrte dru për të ndezur zjarrin.
Në atë moment kishte dëgjuar një zhurmë të madhe. Ajo kishte shkuar te babai i saj, Hamza Jashari, duke e pyetur se çfarë po ndodhte.
“Asgjë çika jem, ushtria serbe po e rrethon lagjen e Lushtakëve. Mos u shqetëso, shko brenda dhe shtriju aty ku keni qenë duke fjetur”, i kishte thënë ai.
Besarta ishte kthyer brenda. Por shumë shpejt mbi shtëpitë e tyre kishte nisur një breshëri e pandërprerë plumbash.
Ajo, motrat, vëllai, nëna, gjyshja dhe familjarë të tjerë ishin strehuar në dhomën e ndejës në bodrum. Plumbat depërtonin përmes dritareve, ndërsa nga jashtë dëgjoheshin vazhdimisht të shtënat dhe zërat e forcave serbe.
Në katet e sipërme kishin mbetur Adem Jashari, gruaja e tij Adile dhe djali i tyre Kushtrimi.
Në një moment, Kushtrimi kishte zbritur te pjesa tjetër e familjes. “E kanë vrarë Adilen, nënën time”, kishte treguar ai.
Adem Jashari dhe Hamza Jashari kishin tërhequr trupin e Adiles dhe e kishin vendosur në kuzhinë. Luftimet vazhdonin.
Adem Jashari, sipas dëshmisë së Besartës, ishte pozicionuar pranë dhomës ku ishin strehuar gratë dhe fëmijët dhe nga aty kishte qëlluar në drejtim të forcave serbe, duke i mbrojtur familjarët e tij.
Tri ditë nën zjarr
Sulmi vazhdoi më 6 mars. Familjarët mbetën të mbyllur në të njëjtën dhomë, të rrethuar nga zjarri dhe predhat. Sipas Besartës, përdorimi i tankeve, granatave dhe armatimit të rëndë ua kishte bërë të pamundur lëvizjen. Më 7 mars, tragjedia arriti kulmin.
Në mesditë, Kushtrimi kishte ardhur te ta dhe kishte thënë: “E paskan vra babushin!”
Pak më vonë, dhoma ku ishin strehuar gratë dhe fëmijët ishte goditur me tank. Goditja kishte vrarë disa prej familjarëve të Besartës dhe kishte plagosur rëndë të tjerë.
Por tmerri nuk kishte përfunduar. Një predhë tjetër kishte goditur dhomën.
Trupat e familjarëve ishin mbuluar nga rrënojat, ndërsa disa prej tyre kishin humbur gjymtyrët nga fuqia e shpërthimeve. Mes asaj skene të tmerrshme, Besarta kishte mbetur gjallë.
U shtri pranë trupave dhe u shtir si e vdekur
Pas goditjeve, ajo kishte dalë përmes një vrime të krijuar nga predha për të parë nëse forcat serbe ishin larguar.
Por edhe atëherë ishte nën zjarr. Kur ishte kthyer brenda, kishte parë se disa nga familjarët ishin ende gjallë, ndërsa Kushtrimi ishte larguar nga vendi.
Pak më vonë, dy policë serbë kishin hyrë në dhomë. Ata kishin hedhur një granatë brenda dhe kishin qëlluar me automatik drejt trupave.
Besarta kishte kuptuar se ishte në rrezik të vritej. Ajo kishte shkuar në dhomën ku ndodheshin trupat e Adem dhe Adile Jasharit dhe ishte shtrirë pranë trupit të Adiles. U shtir sikur ishte e vdekur.
Dy policë kishin hyrë më pas në atë dhomë. Kishin marrë armën e Adem Jasharit, kishin kontrolluar trupat dhe më pas kishin prekur edhe Besartën. E kishin kuptuar se ajo ishte gjallë.
E kishin kapur për krahësh dhe e kishin nxjerrë jashtë, duke kaluar mbi trupat e familjarëve të saj të vrarë.
Jashtë kishte parë edhe motrën e saj Blerinën, të cilën më herët e kishte lënë të gjallë. Besarta iu kishte lutur policëve që ta merrnin edhe Blerinën, por ata nuk e kishin lejuar.
Nga Prekazi në Fabrikën e Municionit
Pas nxjerrjes nga shtëpia, Besarta ishte dërguar në një automjet dhe ishte mbajtur për disa orë. Aty, sipas dëshmisë së saj, një person me rroba të bardha që fliste shqip e kishte pyetur: “Ku është Ademi dhe Hamza?”
Më pas e kishin dërguar në Fabrikën e Municionit në Skenderaj, ku ishin mbajtur edhe gra dhe fëmijë të tjerë të familjeve të Jasharëve. Ajo kishte parë kamionë të shumtë që bartnin armë, si dhe ushtarë e policë serbë.
Pas disa orësh, u ishte thënë se mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Por shtëpitë nuk ekzistonin më.
“Nuk kemi ku të shkojmë, shtëpitë na janë shkatërruar”, kishin thënë gratë.
Besarta më pas ishte strehuar në Skenderaj dhe më vonë te familjarët e saj.
“Çdo ditë më kujtohen ato skena”
Vite më vonë, kujtimet e asaj dite vazhdojnë ta ndjekin.
Në dëshminë e saj në Prokurori, Besarta ka treguar se edhe pas shumë vitesh i parafytyrohen vazhdimisht skenat e 5, 6 dhe 7 marsit 1998.
Ajo ka deklaruar se ka ditë kur nuk mund të flejë dhe nuk mund të jetë e qetë për shkak të kujtimeve nga ajo që kishte përjetuar si fëmijë.
Megjithatë, në fund të dëshmisë së saj, Besarta ka shprehur shpresën se personat që kanë kryer krime ndaj familjes së saj dhe ndaj civilëve në Kosovë do të përballen me drejtësinë.
“Kjo nuk i kthen më familjarët e saj”, por, sipas saj, drejtësia do të ishte një hap drejt zbardhjes së krimeve dhe një lehtësim për të mbijetuarit.
Dëshmia e Besarta Jasharit është pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e cila përshkruan në detaje sulmin ndaj lagjes Jashari dhe veprimet e forcave serbe gjatë 5, 6 dhe 7 marsit 1998.





