Ministri i Financave, Hekura Murati, ka thënë se raporti i Institutit GAP për ndajren e parave për investimet e reja kapitale ka qenë “dezinformim i qytetarëve”. Nuk është hera e parë që ministri Murati i shpërfill raportet si ato ndërkombëtare por edhe ato vendore.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, të mërkurën në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka komentuar të dhënat e prezantuar nga GAP-i.
Këto të dhëna tregoni që Qeveria Kurti ka favorizuar komunat që kryetarët i kanë të Vetëvendosjes.
Sipas analizës së GAP-it për Projektit Buxheti 2024, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Në këtë shumë, mbi gjysmën e saj, ose 59.5%, (13 milionë euro) është drejtuar në katër komunat e udhëhequra nga VV, të cilat përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë.
E këto të dhëna për ministrin Muratin janë veçse “dezinformim” i qytetarëve.
Murati ka thënë se bëhet fjalë veç për 13 milionë euro.
“Kjo është e pavërtetë. Nëse qëllimi i atij raporti ka qenë dezinformimi i qytetarëve, mund të them se ia kanë arritur. Është e pavërtetë që ka dallim apo favorizim të komunave. Bëhet fjalë për 13 milionë euro nga 860 milionë euro investime kapitale. Çka nuk trajton ajo analizë është edhe fakti që edhe projektet e reja i merr vetëm sipas kodit.” – ka thënë ai.
“Ai raporti që është prezantuar nga shoqëria civile, e sidomos është përdorur nga opozita, thotë që investimet e reja aty janë zero, pavarësisht se janë shtuar 4.9 milionë euro. E këtu kemi edhe shumë projekte të reja që kanë të bëjnë me projekte që jo domosdo ekzekutohen përmes buxhetit.” – ka vazhduar arysetimin Murati.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Murati i shpëfill të dhënat që prezantohen nga institute të ndryshme vendore e ndërkombëtare.
Në nanë tjetër, përveç ministrit Muratit, edhe eksponentë të tjerë të VV-së kanë kritikuar të dhënat e GAP-it.
Për shembull kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu që kishte fituar më shumë para për investime të reja kapitale, ka thënë se “nuk u bë nami që Shtimes iu nda më shumë buxhet.”
“Nëse Komunës së Shtimes iu kanë financuar një ose dy projekte konkrete nga Qeveria, nuk është bë nami. Sepse ju e dini që Komuna e Shtimes është nga komunat më pak të zhvilluara në gjithë Republikën e Kosovës. Sidomos në raport me komunat fqinje, Ferizajn, Lipjanin, Suharekën, ne kemi ngelë mbrapa me zhvillim.” – ka thënë Aliu prononcim për T7.
Në anën tjetër, zyrtarë të partive opozitare kanë kritikuar Qeverinë Kurti për këto ndarje të mjeteve.
Për ta, komunat që udhëhiqen nga kryetarët e partive të tyre, janë diskriminuar.
Ndryshe raporti i GAP-it vë në pah se komunat që udhëhiqen nga VV-ja si Gjilani, Shtimja, Kamenica dhe Podujeva që përbëjnë 11.6 % të popullsisë së Kosovës, u është ndarë 59.5 % e buxhetit për investime të reja kapitale.
Komuna e Shtimes ka një vlerë të lartë me 102.15 euro investime për kokë banori. Gjilani dhe Kamenica ndjekin pas me 85.69 dhe 80.26 euro investime për kokë banori.




