Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka përuruar sot përfundimin e punimeve në tri ndërtesa sociale shumëbanesore në Komunën e Skenderajt, ku përfitojnë 100 familje në nevojë, raporton eo.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi gjatë përurimit të tri ndërtesave sociale në Skenderaj se investimi në energji efiçiente po ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së banorëve.
“Përurojmë përfundimin e investimeve me eficiencë të energjisë në tri ndërtesa, banesa sociale shumëbanesore, të cilat i presin 100 familje të Skenderajt në kushte të vështira, duke përfshirë këtu edhe përfitues të asistencës sociale, dëshmorë dhe 30 gra nëna vetë-ushqyese. Ky është pjesë e një programi më të gjerë në nivel vendi, ku tashmë është duke u punuar edhe në 12 komuna të tjera, në renovimin total të 28 ndërtesave sociale me një vlerë totale prej 6 milionë euro. Ndërsa investimi këtu është rreth 693 mijë euro. Këto investime po realizohen me përkrahje financiare të BE-së në masë 90 përqind dhe bashkëfinancim të komunave prej 10 përqind. Këto janë investime të rëndësishme që janë përtej infrastrukturës – kursimi i energjisë do të jetë 75‑85 përqind më pak konsum. Kjo do të thotë kushte më të mira për banorët, më të shëndetshme për familjet e tyre dhe një jetë më dinjitoze dhe më e sigurtë. Përveç investimeve që janë bërë në hyrje, dysheme, izolim të çatisë, ndërrimin e dritareve dhe dyerve, izolimin e ndërtesës, gjithashtu është instaluar sistemi i interfonisë që mundëson siguri më të lartë,” ka deklaruar Rizvanolli.
Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi, theksoi rëndësinë e përkrahjes që BE-ja po i jep Kosovës në përballimin e krizës energjetike, gjatë përurimit të ndërtesave sociale në Skenderaj.
“Një ndërtesë në Skenderaj me vlerë rreth 700,000 euro, nga e cila përfitojnë rreth 100 familje në nevojë sociale. Projekti u mundësua nga financimi i Bashkimit Evropian në kuadër të Pakos së Mbështetjes për Energjinë, me një shumë totale prej 75 milionë eurosh, i cili po zbatohet nga Qeveria e Kosovës dhe Fondi për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë, si dhe falë kontributit të komunës. Qëllimi i kësaj pakove ishte të ndihmojë familjet dhe bizneset të përballojnë ndikimin e krizës energjetike, por gjithashtu të përmirësojë përballueshmërinë e energjisë dhe të mbështesë familjet më të ndjeshme. Masat për eficiencë të energjisë janë një mënyrë shumë efektive për të ndihmuar dhe mbrojtur konsumatorët në nevojë,” deklaroi Bianciardi.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin dhe suksesin e projektit për renovimin e ndërtesave sociale, gjatë ceremonisë së përurimit.
“Një bashkëfinancim dhe bashkë-koordinim që po japim këtu në Skenderaj ka dy elemente kryesore: do të ndikojë në reduktimin e shpenzimeve të energjisë elektrike, dhe njëkohësisht kemi investuar në një pjesë të komunitetit që ka pasur nevojë. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që jemi komuna e parë që po implementon dhe finalizon një projekt kaq të rëndësishëm,” shtoi ai.
Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë që përfshin renovimin e 28 ndërtesave në 13 komuna të Kosovës, me një buxhet total prej 6 milionë euro.