Nga sot, kujdesi shëndetësor në Mitrovicë ka hyrë në një fazë të re zhvillimi. Është përuruar Qendra e re Kryesore e Mjekësisë Familjare, më e madhja e këtij lloji në rajon, që ofron shërbime cilësore në ambiente moderne dhe funksionale, 24 orë në ditë.
Kryetari Bedri Hamza, gjatë ceremonisë së hapjes, u bë simbolikisht pacienti i parë i kësaj qendre, duke realizuar një kontroll rutinë, për të theksuar faktin se kjo qendër është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për qytetin tonë dhe për të gjithë qytetarët. Po e rrisim kujdesin shëndetësor me ju dhe për ju,”, shkroi kryetari Hamza, duke uruar të gjithë qytetarët e Mitrovicës për këtë arritje të përbashkët.