Banorët e Çikatovës së Re kanë adresuar një kërkesë zyrtare në Komunën e Drenasit dhe Drejtorinë e Policisë në Drenas, duke kërkuar vendosjen e “policëve të shpejtësisë” në disa segmente rrugore.
Kërkesa përfshin rrugën “Halim Bajraktari”, rrugën “Mahamut Qorri”, si dhe segmentin rrugor Gllogoc-Baicë, në lagjen Çikatovë e Re.
Sipas banorëve, në këto rrugë ka zebra për këmbësorë dhe çdo ditë qarkullojnë shumë fëmijë që shkojnë në shkollë. Në afërsi ndodhet edhe kopshti “Yjet”, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese për sigurinë e fëmijëve.
Banorët theksojnë se gjatë vitit të fundit janë regjistruar një numër i konsiderueshëm aksidentesh trafiku, disa prej tyre me të lënduar rëndë, ndërsa si një nga shkaqet kryesore përmendet shpejtësia e lartë e automjeteve.
Përmes peticionit, qytetarët kërkojnë që vendosja e pengesave për uljen e shpejtësisë të bëhet me urgjencë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për fëmijët, banorët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Kërkesa është e datës 6 janar 2026 dhe është dorëzuar nga qytetarët e zonës së Qikatovës së Re, së bashku me nënshkrimet e banorëve dhe fotografi që, sipas tyre, dëshmojnë për aksidentet e ndodhura në këto segmente rrugore.
Video: 1789129371723284







