Një person është arrestuar në Skenderaj, pasi dyshohet se gjatë një mosmarrëveshjeje ka kanosur një qytetar duke i ekspozuar një armë zjarri.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 27 qershor 2026, rreth orës 18:33. I dyshuari, mashkull, dyshohet se gjatë konfliktit me viktimën e ka kanosur atë duke i treguar një armë zjarri të tipit TT.
Pas rastit, policia ka kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku ka gjetur dhe konfiskuar armën e tipit TT, një karikator dhe shtatë fishekë.
Me vendim të prokurorit kujdestar, pas intervistimit të palëve, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosje”.





