Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar sot se ka pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën.
Në deklaratën zyrtare thuhet se vendimi është marrë për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë, e cila, sipas SHBA-së, ka rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar mundësinë për bashkëpunim produktiv në prioritetet e përbashkëta.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të Kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite,” thuhet në deklaratë.
Nga Ambasada theksohet se marrëdhënia SHBA–Kosovë mbetet e bazuar në synimin e përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit, si themel për prosperitet të ndërsjellë ekonomik.
Dialogu Strategjik ishte menduar të forconte lidhjet ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe kosovar. Megjithatë, SHBA shprehet se shpreson ta rikthejë këtë proces në të ardhmen, kur të jenë krijuar kushtet e duhura.