Ajvaz Berisha, kreu i subjektit politik “Bashkimi Demokratik”, njëherit kandidat për kryetar të Drenasit, ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale për pranimin e provave nga Serbia për bashkëluftëtarët e tij.
“E, mijëra e mijëra fakte, prova, vrasje të pikërisht kësaj Serbie fashiste ndaj shqiptarëve, heshten, nuk gjykohen, kriminelët jetojnë të lirë dhe trajtohen si heronj në shtetin kriminal të Serbisë. Kjo është e papranueshme dhe nuk mund të ketë qetësi në Ballkan përderisa drejtësia vonon!”, shkruan Berisha në këtë reagim.
Sipas tij, nëse Specialja po gjykon liderët, që janë heronj të luftës së asaj periudhe të lavdishme, si mendon t’i trajtoj Gjykata Speciale të gjithë pjesëtarët e UÇK të udhëhequr në vijë komanduese edhe nga këta të akuzuar? Si pjesëtar të një organizimi kriminal, apo si çlirimtar të Kosovës, siç janë në realitet? Si mund të kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare krijimi i një gjykate për gjykimin e pjesëtarëve të vetëm një etnie, kur në luftë kemi pasur dy palë ndërluftuese-çlirimtarët shqiptarë kundër pushtuesve kriminal serb?! Ku janë deputetët e atëhershëm, që krekosen për patriotizëm e tani heshtin, që e votuan këtë gjykatë kinse nën presione dhe me qëllim të mirë?!
Ish komandati thotë se mbështesin çdo organizim për çlirimtarët, edhe protestën e 7 gushtit.
Reagimi i plotë:
𝗥𝗘𝗔𝗚𝗜𝗠 𝗡𝗚𝗔 𝗣𝗔𝗥𝗧𝗜𝗔 𝗣𝗢𝗟𝗜𝗧𝗜𝗞𝗘 “𝗕𝗔𝗦𝗛𝗞𝗜𝗠𝗜 𝗗𝗘𝗠𝗢𝗞𝗥𝗔𝗧𝗜𝗞”
𝗹𝗶𝗱𝗵𝘂𝗿 𝗺𝗲 𝗲𝗰𝘂𝗿𝗶𝗻ë 𝗻ë 𝗚𝗷𝘆𝗸𝗮𝘁ë𝗻 𝗦𝗽𝗲𝗰𝗶𝗮𝗹𝗲 𝗻ë 𝗛𝗮𝗴ë 𝗱𝗵𝗲 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮𝘁 𝗲 𝗽𝗮𝗿𝗮𝗹𝗮𝗷𝗺ë𝗿𝘂𝗮𝗿𝗮
Në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë po synohet që të kriminalizohet dhe dënohet lufta çlirimtare e UÇK dhe e popullit të Kosovës, bazuar kryesisht në prova të deponuara nga Serbia agresore. Serbia deponon prova për një shtet të pavarur dhe sovran, për udhëheqësit e saj, në një gjykatë rrjedhimisht të Kosovës, kurse prokuroria i pranon pa hezitim ato prova. E, mijëra e mijëra fakte, prova, vrasje të pikërisht kësaj Serbie fashiste ndaj shqiptarëve, heshten, nuk gjykohen, kriminelët jetojnë të lirë dhe trajtohen si heronj në shtetin kriminal të Serbisë. Kjo është e papranueshme dhe nuk mund të ketë qetësi në Ballkan përderisa drejtësia vonon!
Pas luftës së UÇK-së, në periudhën vijuese u tentua që viktimës dhe agresorit t’iu ndërrohen vendet, meqë nuk mbeti komandant i luftës pa u gjykuar dhe plot ushtarë të UÇK-së u dënuan. Pjesët (individët) e përbëjnë tërësinë (UÇK-në), kështu që lirisht mund të them se përmes gjykimeve të individëve, e deri te njerëzit kryesor të UÇK-së: ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të PDK Kadri Veseli, ish-Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe deputetit Rexhep Selimi, po tentohet të ulet në bankën e të akuzuarve vet UÇK-ja, si formacion çlirimtar.
UÇK botërisht është pranuar si guerila më e suksesshme dhe që ka bërë luftë të pastër për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb. Për këtë arsye, NATO intervenoi kundër okupatorëve serb, duke e pasur UÇK-në si një lloj këmbësorie në terren, e që të dyjat bashkë mbrojtën popullatën civile nga shfarosja e gjenocidi. Nëse UÇK dhe lufta e saj trajtohet si “ndërmarrje e organizuar kriminale”, atëherë shtrohet pyetja pse NATO intervenoi në anën e kësaj ushtrie dhe si duhet trajtuar në këtë prizmë të Gjykatës Speciale ky intervenim? Nëse po gjykoni liderët, që janë heronj të luftës së asaj periudhe të lavdishme, si mendon t’i trajtoj Gjykata Speciale të gjithë pjesëtarët e UÇK të udhëhequr në vijë komanduese edhe nga këta të akuzuar? Si pjesëtar të një organizimi kriminal, apo si çlirimtar të Kosovës, siç janë në realitet? Si mund të kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare krijimi i një gjykate për gjykimin e pjesëtarëve të vetëm një etnie, kur në luftë kemi pasur dy palë ndërluftuese-çlirimtarët shqiptarë kundër pushtuesve kriminal serb?! Ku janë deputetët e atëhershëm, që krekosen për patriotizëm e tani heshtin, që e votuan këtë gjykatë kinse nën presione dhe me qëllim të mirë?!
Në këto rrethana, ne si parti politike dhe unë si Kryetar i BD-së, i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës që të bashkuar të mbrojmë çdo herë vlerat e UÇK-së së lavdishme, të luftës çlirimtare e të drejtë të popullit të Kosovës.
Përkrahim çdo protestë dhe veprim kundër kësaj padrejtësie, edhe protestën e 7 gushtit 2025, kurse ftojmë Presidenten e Kosovës, Qeverinë, organizmat juridik ndërkombëtar, që të monitorojnë nga afër dhe të vlerësojnë mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate të njëanshme dhe që merr parasysh “argumente” të fabrikuara nga Serbia, për një territor të pushtuar atëbotë nga ajo dhe luftë të cilën e ka shkaktuar Serbia agresore.
UÇK ka luftuar padrejtësinë dhe agresorin serb, çdokënd që ka ndihmuar këtë pushtim të armikut serb, por jo duke bërë krime lufte! Ne nuk kemi kapë armën dhe veshë uniformën kundër popullit tonë, siç pretendohet në aktakuzat e Hagës, sepse e kemi njohur mirë kënd e kemi pushtues dhe armik.
Është e papranueshme që përmes gjykimit të krerëve të UÇK-së, të bëhen përpjekje që në çdo mënyrë të kriminalizohet krejt UÇK-ja dhe lufta çlirimtare, synim ky që po shpërfaqet pothuajse hapur në Hagë!
DREJTËSI E LIRI PËR ÇLIRIMTARËT E KOSOVËS!
Kryetari i Bashkimit Demokratik
𝙋𝙧𝙤𝙛.𝙙𝙧. 𝘼𝙟𝙫𝙖𝙯 𝘽𝙚𝙧𝙞𝙨𝙝𝙖
Bashkëluftëtar i të akuzuarve
Komandant i Njësisë Diverzante-Vëzhguese pranë SHP të UÇK-së.