Valdrin Zyhrani nga Skenderaj është pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës që është lënduar gjatë ushtrimeve ushtarake në Babaj të Bokës, në Gjakovë.
Gazeta Sinjali mëson nga burimet e saj se Zyhrani, i cili është i angazhuar në kazermën e FSK-së në Gjilan, ka pësuar lëndime gjatë ushtrimeve, ndërsa dyshohet se shkak i incidentit ishte sërish shpërthimi i municionit të prodhimit turk.
Ushtari i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), e më pas në Klinikën e Ortopedisë.
Drejtori i kësaj klinike, Xhavit Gashi, ka konfirmuar se ushtari ka pësuar thyerje në një unazë të shtyllës kurrizore, por gjendja e tij është stabile.
Rasti rikthen në vëmendje shqetësimet për sigurinë e pjesëtarëve të FSK-së dhe përdorimin e municionit turk gjatë ushtrimeve ushtarake.




