Ministri i Sportit, Blerim Gashani, ka pranuar se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” po përballet me vështirësi dhe vonesa, të cilat, sipas tij, janë shkaktuar nga jostabiliteti institucional dhe problemet në komunikimin ndërinstitucional.
“16 muaj ligji për Lojërat Mesdhetare nuk është aprovuar dhe sapo kemi marrë mandatin kemi proceduar me dinamikë të shpejtë dhe po vazhdojmë me intensitet të plotë. Por, më duhet të kthehem prapë te shqetësimi, natyrisht që kemi vështirësi, sepse kemi vështirësi edhe me komunikimin ndërinstitucional, por edhe me komunitetin ndërkombëtar”, ka deklaruar Gashani.
Ai ka përmendur edhe mungesën e një qeverie të plotë gjatë vitit 2025, duke thënë se në atë periudhë është cenuar një nga parimet bazë të organizimit të Lojërave Mesdhetare, përfshirja gjeografike e të gjitha pjesëve të Kosovës.
“Disa prej vështirësive janë në mungesë të një qeverie të plotë gjatë vitit 2025. Është vendosur që njëri nga parimet bazë për Lojërat Mesdhetare të shkelet, që është përfshirja gjeografike, përfshirja e gjithë Kosovës”, ka thënë ai.
Megjithatë, ministri ka siguruar se organizimi i Lojërave Mesdhetare nuk është në rrezik, pavarësisht sfidave dhe vonesave me të cilat po përballen institucionet.
“Lojërat Mesdhetare nuk janë duke u rrezikuar, por ka vështirësi”, ka theksuar Gashani./Zëri





