Janë arrestuar dy persona të dyshuar për sulmin me thikë që ndodhi më 20 shtator në Skenderaj, rast i cili po hetohet si “Vrasje në tentativë”.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për D.G, 41-vjeçar, dhe G.A, 43-vjeçar, të cilët dyshohen se kanë sulmuar J. Veliu, 34-vjeçar, në pompën e derivateve “Fer Petrol”, në rrugën “Azem Bejta”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima fillimisht është goditur me një mjet të mprehtë në gjoks, e më pas edhe në këmbën e majtë.
Pas sulmit, dy të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa njësitë përkatëse kishin kontrolluar vendbanimet e tyre, por pa arritur t’i gjenin.
Burimet bëjnë me dije se motivi i dyshuar i përplasjes lidhet me angazhimin e viktimës si sekretar i Shoqatës së Gjuetisë “Drenica” dhe me vendosjen e kamerave të sigurisë në male për mbikëqyrjen e rasteve të gjuetisë së paligjshme.
Në vazhdim të hetimeve, të dyshusrit janë vetëdorëzuar në Sektorin Rajonal për Hetime.
Pas përfundimit të procedurave, të dy janë dërguar para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Ata janë dërguar në Qendrën e Paraburgimit, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.




